Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se janë bërë një muaj që Qeveria Kurti ka marrë detyrën dhe ende nuk kanë prezantuar një plan qeverisës.
Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, prandaj ai fton kryeministrin Kurti të zbresë deri në QKUK, ku sot mungojnë shumica e barnave esenciale, se për vaksina të mos flasim, e të shohë gjendjen reale të qeverisjes së tij, ka thënë Hoxhaj në postimin e tij në Facebook.
1 muaj qeverisje pa plan!
Po bëhen 1 muaj që kjo Qeveri ka marrë detyrën dhe ende nuk kanë prezantuar një plan qeverisës.
Improvizime, manipulime, vendime të përçarta e asnjë vizion se si të përballen me pandeminë, ekonominë e arsimin, kjo Qeveri po abstenon nga puna dhe përgjegjësia.
Albin Kurti është fshehur prapa protokolleve dhe takimeve zyrtare, me ata që dikur veturave të tyre ua fuste flakën, ndërsa as edhe një fjalë apo veprim konkret për tu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë periudhë të vështirë.
E për t’i mbuluar të gjitha dështimet, Kurti nisi edhe luftën dhe përndjekjen e mediave të cilat guxuan të flasin për keqqeverisjen e tij.
Kryeministri të zbresë deri në QKUK, ku sot mungojnë shumica e barnave esenciale, se për vaksina të mos flasim, e të shohë gjendjen reale të qeverisjes së tij. Qytetarët, të cilët përveç problemeve shëndetësore, po sfidohen edhe ekonomikisht duke blerë gjithçka nga ilaçet dhe materialet shpenzuese.
Kurti edhe mund të mos i dijë këto informata nga terreni, por e ftoj dikë nga oborrtarët e tij që, nëse kanë guximin, t’ia hapin sytë me disa doza realiteti.