Me qëllim të thellimit dhe avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit me mediat, në shërbim të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, si dhe prezantimit të qëndrimeve politike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar Sibel Halimi, zëdhënëse Politike të LDK-së.
Sibeli përveç se është anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është edhe sociologe e poete. Ajo është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Deri tash ka të botuar tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi” si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017).
Merret aktivisht me trajtimin e problemeve socio-filozofike, ndërkohë që shkrimet e saj janë botuar në periodikun shqip e të huaj. Njihet si veprimtare e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për të drejtat e grave dhe vajzave.
Lidhja Demokratike e Kosovës pret dhe fton për një bashkëpunim të nevojshëm me mediat dhe me publikun, thuhet në komunikatën për media e LDK-së.