Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot bëri homazhe dhe vendosi lule pranë kompleksit memorial në Vërboc dhe Shtuticë të Drenasit, në nderim të mbi 170 shqiptarëve të vrarë e masakruar nga forcat ushtarake e policore serbe.
Gjatë homazheve, i pari i Kuvendit, takoi disa prej familjarëve të të rënëve dhe u shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e dhënë dhe për sakrificën që ata bënë për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Kryekuvendari Konjufca, ndër të tjera, tha se është obligim i të gjithëve që të rikujtohet dhe të mos harrohen këto ngjarje, sepse, siç tha ai, gjaku i derdhur i heronjve qëndron në themelet e shtetit të Kosovës.
Ai po ashtu ritheksoi se institucionet tona duhet të angazhohen e të kërkojnë drejtësi, si dhe personat të cilët i kanë kryer këto krime lufte të vihen në bankën e drejtësisë.
Më pas, kryekuvendari Konjufca vazhdoi për vizitë në Kullën e heroit Ilaz Kodra në Prekaz, në të cilën takoi familjarë dhe bashkëluftëtarë të heroit.
Duke iu adresuar atyre, Konjufca tha se Ilaz Kodra bashkë me të rënët e tjerë e kanë shkruar historinë me pushkë e me shumë sakrificë.
“Ndjenja e krenarisë duhet ta tejkalojë pikëllimin të cilin e ndjen secili prej nesh. Është një jetë e tërë e lavdishme që ia keni dhënë kombit shqiptar, prandaj të gjithë duhet të përkulemi para veprave të të rënëve, për sa të jemi gjallë”, tha Konjufca.