Build Skills with our trainings

Sign up now!

Puna e detyruar po ua merr fëmijërinë

Nën 22, 2016

Albioni del gati çdo natë me vëllaun e tij 9 vjeçar nëpër lokalet e Prishtinës për të shitur çokollata e për të fituar pak para. E ato pak para ndonjëherë ia jep mamasë, ndonjëherë i ruan për vete, të paktën kështu thotë Albioni 10 vjeçar nga komuna e Vushtrrisë. Ndonëse shkon në shkollë, detyrat rrallëherë i bën, pasi në kohën kur duhet t’i bëjë, ai është jo vetëm larg fletoreve e librave por edhe larg shtëpisë.

Të tillë fëmijë që shesin, ose edhe të tjerë që kërkojnë lëmoshë, lajnë xhama të makinave, gjurmojnë vend e pa vend për materiale të riciklueshme, mund të hasen çdo ditë e çdo natë, pothuajse në çdo rrugë e kënd të kryeqytetit.

Sipas Agjencisë së Statisktikave të Kosovës (ASK), në Kosovë 10.7% e fëmijëve të moshës 5-17 janë të angazhuar në punë, kurse 6.8% e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.  Kurse në vitin 2014 në gjithë Kosovën, 206 fëmijë janë evidentuar nga Qendrat për Punë Sociale të jenë të përfshirë në punë të rënda.

Samir Shahini, ish–menaxheri i organizatës joqeveritare “The Ideas Partnership” pohon se numri më i madh i fëmijëve që punojnë në moshë të re vijnë prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Kjo lidhet me shumë arsye por arsyeja kryesore janë kushtet shumë të rënda ekonomike.

“Dikund mbi 80% e familjeve rom, ashkali dhe egjiptian, të paktën në lokacionet ku organizata jonë punon, jetojnë me asistencë sociale. Kjo nuk është e mjaftueshme në shumicën e herave, gjë që i detyron fëmijët por edhe prindërit të marrin masa të tjera dhe t’i çojnë fëmijët drejt punës.” thotë Shahini.

Valentina Demolli, menaxhere projektesh nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), pohon se numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugët e qyteteve dhe që punojnë në sektorin joformal ka shënuar rritje viteve të fundit, ndonëse numri i përgjithshëm i fëmijëve lypës mbetet ende i panjohur. Po ashtu lypsarët që vijnë nga shtetet e tjera vetëm sa vijnë e shtohen dita ditës, gjë që nga KMDLNJ konsiderohet si krim i organizuar, shtoi Demolli.

Ajo thotë se ky institucion vlerëson se detyrimi i fëmijëve për të punuar është shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe se sanksionohet me të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe me ligjet që janë në fuqi në Kosovë.

Raporti i Progresit për Kosovën nga Bashkimi Evropian, i publikuar në fillim të nëntorit të këtij viti, ka vënë në pah mungesën e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Këtë konstatim e mbështet edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili pohon se  zbatimi i legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ende mbetet sfidë.

Sipas KOMF, për sa i përket mbrojtjes së fëmijëve viktima të dhunës dhe trafikimit, Raporti i Progresit  rekomandon që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të sigurojë financim adekuat për strehimoret ku do mund të jetojnë fëmijë viktima të dhunës dhe trafikimit.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Policisë së Kosovës kundrejt dukurisë së fëmijëve që punojnë janë identifikimi i lokacioneve ku punojnë fëmijët dhe raportimi në Qendrat për Punë Sociale.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, Policia e Kosovës ka identifikuar diku 300 persona lëmoshëkërkues të rritur që kanë qenë më familje përfshirë këtu edhe fëmijët e tyre”, thotë për KosovaLive zëdhënësi i Policisë e Kosovës, Daut Hoxha.

Për më tepër, ai thotë se për dukurinë e kërkim lëmoshës, si njëra ndër punët e këqija për fëmijë, Policia e Kosovës zhvillon aktivitete me qëllim të largimit të fëmijëve nga rruga, pasi që në çdo moment ata mund të jenë viktimë e përfshirjes në krime të ndryshme apo edhe viktimë e trafikimit dhe për qëllime tjera.

Brenda vetëm një operacioni katër ditor (14-18 nëntor) të pagëzuar “Identifikimi i fëmijëve lëmoshëkërkues, si viktima të trafikimit”, Policia e Kosovës ka arrestuar 11 persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe ka identifikuar 36 fëmijë lypsarë, 23 prej të të cilëve ishin shtetas kosovar dhe 13 shtetas shqiptar.

Shtetasit e Shqipërisë u janë dorëzuar njësisë përkatëse pranë Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, kurse për shtetasit kosovar janë hapur 12 raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Ky operacion si vetëm një në radhën e një numri më të madh operacionesh që i ndërmori Policia e Kosovës, pritet që të përcillet nga veprimet gjegjëse të instutucioneve të tjera. Kështu edhe rekomandohet në Raportin e fundit të Progresit për Kosovë për këtë vit, në kontekstin e zbatimit të ligjit ekzistues dhe krijimit të kushteve për fëmijët që janë të detyruar të punojnë.

Gentiana Maxharraj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM