Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtorin e Evropës në Ministrinë Britanike për Punë të Jashtme dhe Zhvillim, Giles Portman. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott.
Portman uroi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të vazhduar të përkrahë Kosovën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Duke e falënderuar Portman për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik i ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti tha se ai është i përkushtuar që Qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për ndihmën rreth njohjeve për Kosovën dhe kërkoi bashkëpunim të mëtejmë me Mbretërinë e Bashkuar për njohje të reja.
Kryeministri Kurti dhe Portman biseduan në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe procesin e përgatitjes për dialog. Po ashtu u bisedua për gjendjen me pandeminë dhe masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike. Portman potencoi faktin që pasi Britania është jashtë BE-së, është rritur mundësia për fuqizim të bashkëpunimit bilateral.
Të dy palët shtruan nevojën për investime të reja, të cilat do të sjellin punësim, veçanërisht për të rinjtë. Në këtë drejtim kryeministri e potencoi nevojën e ardhjes në Kosovë të brendeve të mëdha, në formë partneriteti me ndërmarrësit shqiptarë nga mërgata, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.