Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtoren e Manifesta Biennial, Hedëig Fijen. Në takim u biseduan çështje të ndryshme që përfshijnë organizimin e Manifesta Biennial, si një motor i ndryshimeve pozitive socio-kulturore në Kosovë.
Kryeministri dhe Fijen shprehën besimin se me angazhimin e plotë të ekipit ndërkombëtar në Amsterdam dhe ekipit vendor në Prishtinë, do të sigurohet mbarëvajtje e suksesshme e kësaj ngjarje. U diskutua edhe kapaciteti për t’i mbledhur akterët e ndryshëm nga e gjithë Kosova në kulturë dhe edukim, që do të krijonin sinergji të reja në avancimin edukativo-kulturor të gjeneratave të reja në Kosovë.
Kryeministri Kurti shprehu përkrahje për këtë organizim të rrallë që po ndodhë për herë të parë në rajon. Ai theksoi rëndësinë e impaktit të bienales në të gjithë sferat socio-kulturore në Kosovë: në cilësinë e ngritjes së kapaciteteve profesionale të të rinjve kosovarë në art dhe kulturë, hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit me profesionistët ndërkombëtarë, krijimin e mundësive të reja të rimendimit të hapësirave kulturore në Kosovë dhe ri-vitalizimin e skenës kulturore në përgjithësi pas një periudhe pandemike.
Manifesta Biennial është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë dhe një faktor me shumë rëndësi në zhvillimin e kulturës, si pjesë e pandashme e progresit të gjithmbarshëm në shoqëri. Si rezultat i një pune të frytshme të dialogimit dhe parapërgatitjeve që po vazhdojnë ende në mes të strukturave kulturore në Kosovë dhe Manifesta Biennial që është me bazë në Amsterdam, Holandë, Kosova për herë të parë do të jetë nikoqire e bienales në vitin 2022, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.