Krahas panelit të nivelit politik me ambasadorë u zhvillua paneli i nivelit teknik me pjesëmarrjen fizike dhe përmes platformës elektronike të mbi 70 ekspertëve – përfaqësues të Partnerëve Strategjikë të Ministrisë së Drejtësisë e donatorëve.
Qëllimi i këtij takimi koordinues teknik me partnerët strategjikë, synoi koordinimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve në linjë me programin qeverisës të Ministrisë së Drejtësisë.
Zëvendësministrja, Nita Shala, informoi ekspertët rreth pesë qëllimeve strategjike dhe hapi diskutimin për të identifikuar dhe hartëzuar ndihmën konkrete në të cilën mund të llogarisë Ministria e Drejtësisë.
Orientimi i diskutimit kishte të bënte me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë, si vijojnë:
përmirësimi i integritetit të institucioneve të drejtësisë përmes procesit të vetingut dhe mekanizmave të tjerë; reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative; adresimi i krimeve të luftës dhe vlerave të mbrojtura me të drejtë ndërkombëtare; përmirësimin e shërbimeve të profesioneve të lira dhe parandalimin e adresimin e dhunës në familje.
Të pranishmit mirëpritën këtë iniciativë dhe u angazhuan në diskutime për secilën nga qëllimet e cekura, duke kontribuar me komente dhe propozime aktivitetesh, thuhet në komunikatën për media e MD-së.