Sipas organizatës UNFPA, edukimi seksual nënkupton një qasje e cila bazohet dhe përqendrohet në gjini. Sipas kësaj organizate, është e rëndësishme të mësohet për edukimin seksual qoftë në shkolla apo edhe jashtë tyre, për të siguruar informacionet e nevojshme për të rinjtë.
Sipas hulumtimit nga anketa kombëtare e rritjes së familjes adoleshentët të cilët mësojnë rreth edukimit gjithëpërfshirës seksual kishin 50% më pak mundësi të përjetonin shtatzëni në krahasim me ata të cilët kanë mësuar rreth edukimit seksual vetëm gjatë martesës.
Edukimi seksual rrallë mësohet në Kosovë dhe ende konsiderohet si temë tabu. Mungesa e edukimit seksual, ndërkaq shihet edhe një ndër shkaqet e shtatëzanive të padëshiruara si dhe mosnjohuri për sëmundjet e shumta që mund t’i bartin të rinjtë.
Zyra e UNICEF KOSOVO ka krijuar nje aplikacion dhe platformë të re “SHNET”, që është krijuar për të adresuar keqkuptimet, informacionet e pasakta, stigmatizimin dhe çështjet e tjera në lidhje me shkrimin dhe leximin për edukimin seksual të adoleshentëve në Kosovë.
Delina Krasniqi, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë tregon se asnjëherë nuk ka diskutuar për edukimin seksual, porse ka pasur lëndë në shkollë që kanë përmendur diç të tillë.
“Jo nuk kam mësuar asnjëherë për shkak se as në shkolla e as në familje nuk kemi diskutuar. Por, sa i përket shkollës ka qenë një lëndë “Aftësi për jetë”me shoqet e mia kemi berë shaka kur i lexonim, ndërsa arsimtarja ose e bënte orën e lirë ose mësonim diçka tjetër.”
Ndryshe rrëfenLeart Krasniqi, nxënës në klasën e shtatë në shkollën “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë.
“Po kemi mësuar në klasën e gjashtë në lëndën e biologjisë, kemi mësuar rreth sëmundjeve të cilat merren gjatë marëdhënieve seksuale, kemi mësuar si të mbrohemi nga sëmundjet, cilat janë masat mbrojtëse gjatë mardhënieve etj. Dhe, për mua është shumë e rëndësishme të mësohet rreth edukimit seksual.”
Arsimtarja e biologjisë në shkollën “Xhemajl Kada”, Valentina Morina thekson rëndesinë e edukimit seksual dhe dëshirën e madhe që kjo të jetë obligative në shkolla. Sipas saj, lënda e biologjisë nuk është se ka burime të mjaftueshme për edukmin seksual, dhe se koha nuk është e mjaftueshme që të ndalen e të bisedojnë me nxënësit për temat e ndryshme sa i përket edukimit seksual.
“Lënda të cilën unë e ligjeroj, jo mjaftueshëm na ofron informacione të cilat duhet t’i mësojmë rreth edukimit seksual. Në të ardhmen mendoj që do të ishte mirë të kemi më shumë tema rreth edukimit seksual dhe nxënësit të jenë më të informuar, për shkak se po shohim se çka po ndodh në fazat e rritjes me fëmijët tanë. Sa i perket shpjegimeve, temat që i kam praktikuar rreth edukimit seksual, janë vetëm ato tema të cilat janë pjesë e librit që e mësojmë. Vlen të ceket se nuk kemi shumë orë mësimore që të ndalemi më shumë për këto tema”, shton Morina.
Ka raste edhe kur arsimtarët u thonë nxënësve t’i pyesin prindërit e tyre, dhe nuk e shpjegojnë njësinë mësimore. dhe për këtë gjë ka folur Dureja Deçani, nxënëse në klasën e tetë.
“Nuk kemi mësuar sepse nuk i kemi kushtuar vëmendje mësimeve në shkolla rreth edukimit seksual, nuk na kanë shpjeguar dhe në shumicën e rasteve na thonin t’i pyesim prindërit tanë, e më pas ne vetëm qeshnim dhe bënim shaka. Unë personalisht mendoj se është shumë e rëndësishme të mësojmë rreth edukimit seksual, sepse nuk është në rregull t’i mësojmë gjërat nëpër rubrika të ndryshme të cilat nuk kemi njohuri se a janë të sakta apo jo”, thotë Dureja Deçani, nxënëse e klasës së tetë në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, Pejë.
UNICEF në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë shtuar në procesin mësimor lëndën “Aftësi për Jetë”, por nuk ka asnjë informacion se sa shkolla e respektojnë këtë dhe sa iu qasen nxënësve me gjërat e shkruara në këtë libër.
UNICEF gjithashtu ka shpërndarë libra falas mësuesve dhe nxënësve, në të njejtën kohë ka mbajtur edhe trajnime për mësimdhënës në qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Marvin Xhaferaj, tregon se rreth edukimit seksual ka mësuar në “Google”, sepse në shkolla nuk ka pasur shpjegime rreth temave të tilla.
“Kam mësuar rreth edukimit seksual por jo në shkollë, për çdo gjë që kam qenë i interesuar ju kam drejtuar ‘Google’, kam blerë revista të shumta… Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mësojmë në shkolla, e jo ta anashkalojmë këtë gjë, unë mendoj që është mirë që të bëhet obligative në çdo shkollë edukimi seksual.”
Valbona Sylqa, arsimtare e lëndës “Aftësi për jetë” në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, tregon se sa mundohet që t’u shpjegojë nxënsëve të saj rreth edukimit seksual dhe se sa është informuese lënda të cilën e ligjeron. Sipas saj, vajzat janë ato të cilat më shumë interesohen për tema të ndryshme.
“Lënda që e praktikojmë është shumë informuese sa i përket edukimit seksual. Mundohem që t’i informoj fëmijët që një gabim i tyre pëson me jetën, mundohem në atë mënyrë që t’i edukojë se si të sillen në moshën e tyre, rreth kalesave të hershme etj. Nxënësit më bëjnë pyetje rreth problemeve të ndryshme por më së shumti gjinia femërore, pyetje si: rreth ciklit, virgjinitetit etj.”
Nëna e dy fëmijëve, pejanja Visare Gutiqi Jakupi, që aktualisht jeton ne Londër, shprehet e lumtur dhe e kënaqur sa i përket mësimit rreth edukimit seksual në shkollë.
“Në Angli fëmijët fillojnë të mësojnë rreth edukimit seksual në klasën e gjashtë, në moshën 11 vjeçare, nuk e kam pasur aspak problem të mësojnë rreth edukimit seksual, e eksplorojnë veten e tyre më mirë, mësojnë ndryshimet e shumta të cilat ata i pësojnë gjatë pubertetit, se nga çfarë duhet të kenë kujdes etj… Në Angli, te çdo shkollë është lënda rreth edukimit seksual, por para se t’i mësojnë nxënësit na ftojnë që fillimisht ne te informohemi se çka do mësojnë fëmijët tanë, pastaj me pelqimin dhe miratimin e prindërve ata e kryejnë punën e tyre .”
Arbies Jakupi, po ashtu kosovar që jeton në Angli, student i vitit të dytë në University of Law – Professional Policing, punon si polic dhe refer në ligën e të rinjve në Angli, tregon se nga klasa e gjashtë kanë filluar të mësojnë për edukimin seksual.
“Ne kemi filluar të mësojmë rreth edukimit seksual që në klasën e gjashtë të shkollës fillore, çka kemi mësuar në shkollë është për organet gjenitale dhe ndryshimet në trupat tonë. Na kanë shpjeguar për intimitetin, dhe na kanë shfaqur një video të animuar, kemi qeshur por edhe kemi qenë të interesuar të mësojmë. Jam i kënaqur që kemi mësuar sepse ata kanë treguar edhe për procesin e pubertetit, ka qenë tepër intersante dhe tash mundemi të bisedojmë lirshëm me prindërit e mi, çka më ka çuditur është se kur kam ardhur në Kosovë shoqëria dhe fëmijët në familje nuk kanë qenë në dijeni, dhe janë çuditur kur kam treguar që mësoj rreth edukimit seksual në shkollë”.
Arianita Broqi thotë që fëmijëve ju flet vazhdimisht rreth edukimit seksual, mirëpo sipas saj transmetimi më i mirë rreth kësaj çështje vjen nga ligjëruesit konkret në shkolla.
“Në shkollat e Kosovës po u mësojnë rreth edukimit seksual por jo aq sa është e nevojshme. Unë si prind i flas dhe do i flas vazhdimisht, por transmetimi më i mirë vjen nga ligjeruesit konkret në shkolla. Mendoj dhe shpresoj që ndonjëherë në shkollat e Kosovës nxënësit të mësojnë dy herë apo edhe një herë në javë rreth edukimit seksual”, thotë Broqi.
Sipas Tadeusz Pacholczyk, një prift, neuroshkencëtar dhe shkrimtar katolik roman amerikan tregon për gazetën Diocese of Madisoon, se rolin kryesor mbi edukimin seksual e luajnë prindërit.
“Prindërit ndikojnë tek fëmijët e tyre në mijëra mënyra të ndryshme, ndonjëherë edhe duke mos kuptuar se si komentet ose vëzhgimet e veçanta që ata bëjnë mund të bëhen shumë domethënëse për të menduarit e fëmijës së tyre.”
Edhe sipas psikologut, Naim Telakut, prindërit duhet të komunikojnë mbi edukimin seksual , sepse kështu fëmijët do të mbroheshin nga gabimet dhe nga vendimet e painformuara. Sipas tij, edukimi seksual është një prej fushave që e kemi mungesë në edukimin fillor.
Telaku tregon se të rinjtë e Kosovës e nisin jetën e tyre seksuale në mos dijeni të gjërave kryesore, traumat ose ndjenjat emocionale jo të mira që përjetojnë gjatë mardhënieve dhe sesa është e nevojshme që edhe prindërit të bisedojnë me fëmijët e tyre rreth edukimit seksual.
“Edukimi seksual është një prej fushave që e kemi në mungesë në edukimin fillor edhe pse shpjegohet në disa lëndë të biologjisë, mirëpo drejtpërdrejt që të informohen dhe edukohen fëmijët për edukimin seksual. Kjo është e munguar dhe mendoj që është shumë, shumë e nevojshme për shkak të mungesesë së edukimit të mirëfilltë në fushën e raporteve seksuale në gjatë shtatzanisë, do të thotë se kemi probleme të shumta te të rinjtë gjatë jetës së tyre.”
Ai pohon se është e rëndësishme të mësohet rreth edukimit seksual, për shkak se në Kosovë ka një numër të madh të problemeve të natyrës seksuale që shfaqen dita ditës në shoqërinë tonë si p.sh shtatzanitë e padëshiruara. Sipas Telakut kjo vjen si rezultat i mungesës së informacionit për çështje të ndryshme seksuale.
Edhe në Libraritë e Kosovës ka mangësi të librave mbi edukimin seksual. Në Librarinë Konica në dispozicion janë vetëm dy libra “Seksi që në agimet e tij (Origjina Parahistorike të seksualitetit modern)” e shkruar nga Christoper Ryan dhe Cacilda Jetha dhe “Dashuria, Seksi dhe Gjithçka që doni të dini” e shkruar nga Christine Wolfrum.
Ndërsa në Librarinë Buzuku janë gjithsej 9 libra rreth edukimit seksual: “Rritja e Vajzave”dhe “Rritja e Djemve” shkruar nga Steve Biddulph, “50 mësime mbi ndryshimet që ndodhin në trupin e njëriut -Guida e Vajzave” enga Marwa Ibrahim, “Libri i vajzave të mahnitshme” dhe “Libri i sekreteve te vajzave” tshkruar nga Vena Bhairo, “Libri i Ndjenjave – si t’i kontrollosh emocionet e tua” autore Lynda Madison, “Libri i trupit për vajzat – Kujdesi mbi veten” nga Cara Natterson dhe libri “Gjithçka rreth meje” nga Ellen Bailey ndërsa libraritë e tjera si “Libraria Pena”, “Libraria Roxha” etj. nuk kishin fare libra rreth edukimit seksual .
Diona Krasniqi
Për autorin/en:
Diona Krasniqi është studente e vitit të tretë në Komunikim Masiv – Gazetari në kolegjin AAB. Ajo është pjesë e programit “ Internship & Mentorship 2 “ në KosovaLive.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.