Build Skills with our trainings

Sign up now!

Çmimet e larta, një nga arsyet e hezitimit për vizitë te psikologu

Nën 1, 2020

Donat Loxha është një adoleshent nga Mitrovica i cili ka kaluar nëpër fazën e depresionit para tri viteve dhe i cili ka refuzuar të vizitojë psikologun duke u përballur krejt i vetëm.

 “Unë jam mjaft introvert dhe ndryshimet e mëdha në jetë shkaktojnë trazira dhe stres tek unë. Pasi që u pranova në shkollë të mesme ndryshimi i frymës dhe ambientit dhe mungesa e shokëve qe kam pasur shkaktonte dëshpërim dhe lodhje emocionale, ndihesha i vetmuar si ne klasë ashtu edhe gjatë ditës. Mendoja se nuk do të ja dilja edhe pse sot mendoj se do te kishte qenë më mirë që të vizitoja psikologun shkaku se rezultati do të ishte më i shëndetshëm”, thotë Donati.

Sipas Programit iFightDepression, (Unë e luftoj depresionin) zakonisht per suksesin e trajtimeve psikologjike duhet mbajtur  rreth 25 seanca deri në një maksimum prej 80 seancash (rreth 3 muaj deri në një vit) që të shihet suksesi i tyre. Kjo kohëzgjatje dhe kostoja e lartë e pagesës për seanca të tilla rezultojnë si arsye pse shumë njerëz nuk e vizitojnë psikologun apo i lënë ne gjysmë seancat psikoterapeutike.

Këtë e pohon edhe Donat Loxha, i cili thotë se çmimet e seancave psikologjike kanë qenë shumë të larta, por arsyeja tjetër që nuk e ka vizituar psikologun ka qenë edhe hezitimi i tij për t’i diskutuar problemet me dikë tjetër.

Thjesht nuk ndihesha i gatshëm që të diskutoja me tjetërkënd… është e kuptueshme se çmimet janë të larta për standardin tonë. Shpresoj se në vitet në vijim do të jetë më e lehtë që një adoleshent me këtë nevojë t’i kete mundësitë që të vizitojë psikologun”, thotë Loxha.

Edhe prishtinasja Genta Isufi nuk e ka vazhduar konsultimin me psikologun për shkak të çmimeve të shtrenjta të seancave psikologjike.

Jam një 17 vjeçare dhe ndihmën për te psikologu e kam kerkuar qysh nga vdekja e mamit, që i bie qe 4 vite. Jam munduar që të konsultohem me psikologun për çdo problem dhe hall, por çdo kontroll që unë bëja ishte e kushtueshme – një seancë prej 40 minuta më kushtonte 20 euro dhe unë nuk është se mund t’a përballoja pasi që çdo herë është dashtë të paguaj përderisa nevojën për psikolog e kam pasur shumë”, ka thënë Genta.

Ajo konsideron se do të ishte më mirë po të kishte shërbime falas nga shteti për shëndetin mendor..

Shteti duhet te hap qendra për psikolog pa pagesë sepse nevoja për to është e madhe dhe e dimë se në  privat kërkojnë shumë e mundësitë e popullatës janë të vogla pasi që ne e dimë në çfarë vendi jetojmë dhe çfare papunësie e madhe është. Mendoj se Kosovës i mungon trajtimi i duhur i personave që kanë nevojë për psikolog”, thotë Isufi.

Po sikur ajo edhe shumë njerëz të tjerë nuk janë në njohuri se shërbimet e njëjta që i ofrojnë psikologët privat i ofrojjnë edhe psikologët në institucionet publike, si në qendrat për shërbime sociale, në QKUK, etj.

Fjolla Ibrahimi-Starabaja, psikologe klinike e shëndetit mendor në Qendrën e Shërbimeve Sociale në Lipjan si dhe psikologe në faqen online PsikologuYt.com, ka folur për arsyet pse njerëzit nuk janë në njohuri për psikologët e shtetit.

Me hapjen e Qendrës për Shërbime Sociale këtu në Lipjan, komuna ka paraparë që pjesëmarrës duhet të jetë edhe një psikolog i cili u ofron shërbime pa pagesë njerëzve që kanë nevojë për psikologë. Shpesh ndodh që na ngatërrojnë me psikiatrin, përderisa roli ynë nuk është t’i dhurojmë klientit një ‘peshk të gatshëm, por ta mësojmë të peshkojë’, pra t’i dhurojmë zgjidhje ngadalë, përderisa psikiatri u jep klientëve terapi që të ndikojë menjëherë”, thotë Ibrahimi-Starabaja.

Psikologia tregon edhe cilat janë arsyet që njerëzit e vizitojnë psikologun, duke qenë ato nga më të thjeshtat te më të rëndat.

Gjatë përvojës time kam mësuar se ne mundohemi që problemet tona  t’i zgjidhim duke folur me nënë, babain apo ndonjë pjesëtar tjetër të familjes, deri në atë pikë kur vetë personi ka arritur të ndodhet në kolaps dhe ka pasur nevojë për një ndihmë më profesionale. Problemet e shumta në të cilat hasim janë dhuna në familje, ndarja e një çifti bashkëshortor, ndarja e prindërve, zgjedhja se me cilin prind fëmija do të jetojë, pagjumësia, aneoreksia, bulemia, rënia në mësim, që ka ardhur si pasojë e ndonjë problemi tjetër”, shton Ibrahimi-Starabaja.

Mediat, programet televizive, rrjetet sociale kanë ndikuar që njerëzit të mos kenë mendimin e njëjtë për psikologun si më parë.

Deri vitet e fundit ka ekzistuar mendimi që kur i ke thënë dikujt apo vetë e ke përmendur psikologun kanë filluar të vënë etiketime si i ‘çmendur’, ndëra sot ku pothuajse në shumë programe ftohen psikologë për probleme të ndryshme, për shkolla, fëmijë, për temën e  depresionit e shumë probleme tjera, psikologu është shndërruar në udhërrëfyes të problemeve”,  thotë ndër të tjera psikologja Fjolla Ibrahim-Starabaja.

F.R ka ndjekur seancat psikologjike në qendrat private për problemet e vazhdueshme me stresin.

Arsyeja për të cilen unë vendosa për të vizituar psikologun ka qenë problemet e vazhdueshme me stresin , të cilat u bënë të papërballueshmme dhe interferonin në jetën time të përditshme”.

Duke mos besuar në seriozitetin që psikologët në qendrat shtetërore mund të ofrojnë, F.R ka vazhduar seancat në qendra private.

Familja ime dhe unë nuk ishim të sigurtë se seancat e mbajtura në qendrat shtetërore mund të ishin efektive ngase nuk besonim në rezultatin e tyre, ndaj rezultatet që kam arritur në qendrën private janë shumë të mira dhe kanë qenë shumë menaxhuese”, thotë ajo.

Sipas psikologes klinike, Fatime Sahiti, përveç  stigmatizimit dhe etiketimit që njerëzit hasin kur kanë nevojë për psikologun, janë edhe disa arsye të tjera që e refuzojnë ndihmën e psikologut.

Nga  përvoja ime klinike kam parë që një arsyje tjetër e refuzimit të psikologut është frika që ‘biseda do të kuptohet’. Ky është një keqkuptim tjetër në punën e psikologut-terapistit pasi gjithmonë seancat terapeutike mbeten konfidenciale – ky është parim bazë në punën e terapisë. Si dhe arsyetimi ‘nuk gjejmë kohë’. Kjo në disa raste është një tendence për të shmangur ballafaqimin, mosgatishmërinë për të trajtuar situaten apo ndjenja frike nga trajtimi i problemit”, thotë Sahiti.

Përveç shqetësimeve si depresioni, ankthi, pagjumësia e shumë shqetësime tjera të cilat kërkojnë intervenimin e psikologut, edhe nënat pas lindjes kërkojnë ndihmën nga psikologu.

“Shumë herë na ndodhë të dëgjojmë shprehje të tilla si ‘ai po kalon një periudhë të vështirë’, ‘fëmija im refuzon të shkojë në kopsht’, ‘ai nuk del nga dhoma qëkur ka lënë punën’, ‘ajo akoma nuk është pajtuar me atë humbje’, ‘ajo vetëm qanë prej kur e lindi fëmijën e saj’… Këto përshkrime të shkurtra, të cilat i hasim shumë shpesh në bisedat e të tjerëve, pa dyshim që paraqesin një arsyje për të vizituar psikologun”, thotë ajo.

Sipas psikologes, mjetet financiare, të pamjaftueshme për t’i kushtuar rëndësi mirëqenies dhe shëndetit mendor, si dhe shmangia e vizitës te psikologu, çon deri te marrja e medikamenteve të panevojshme për ta tejkaluar një situatë.

Normalisht që edhe vizita te psikologu shumë shpesh hynë në këtë pamundësi financiare për t’u realizuar. Mirëpo duke e marrë për bazë rëndësinë e madhe që ka në mirëqenien tonë trajtimi profesional në aspektin psikologjik kjo cështje duhet trajtuar me seriozitet nga institucionet vendore…”

Shoqëria jonë duhet të mësohet me faktin që vizita tek psikologu është e njëjtë me vizitën që bëjmë te një doktorë kur na dhemb ndonjë pjesë e trupit”, thotë psikologia klinike, Msc.Fatime Sahiti.

Filonida Kelmendi, psikologe konsideron se ne si shoqëri ende nuk dimë të bëjmë dallimin mes të qenit jo mirë me shëndet fizik dhe me atë emocional apo dhe psikik.  Në bazë të përvojës së saj vlerëson se një ndër arsyet më të shpeshta të mosvizitës te psikologu është edhe kostoja.

“Arsyeja se pse ndoshta kjo akoma diskutohet si diçka e çuditshme është edhe frika nga paragjykimet që mund të kenë, arsye tjetër mund të jetë edhe kostoja, koha, si dhe shpesh edhe mendimi se do ia dalim vetë. Tjetër gjë me rëndësi është edhe gjetja e një profesionisti adekuat, me ngritjen akademike adekuate dhe qasjen adekuate që ai psikolog përdor, në mënyrë që edhe qëllimi dhe ai riformësimi i klientit të arrihet më shpejtë dhe lehtë”.

Çmimet e një seance psikologjike sillen nga 15 deri në 30 euro, dhe këto çmime janë përafërsisht të njëjta në shumë qendra.

Edhe pse shumë klinika konsiderojnë se seancat  psikologjike janë me kosto të përballueshme nëse dëshiron një shërbim të mirë, ka dhe raste kur ata ofrojnë seanca dhe pa pagesë.

“Pa dyshim që në rastet te të cilat gjatë procesit vihet në pah vështirësia e vazhdimit të trajtimit si shkak i gjendjes ekonomike, qendra në të cilën jam e angazhuar si psikologe për fëmijë, pra Qendra për Trajtim Psikoterapeutik dhe Këshillim- Petrit Thaçi B.I’ ka ofruar shërbime edhe me zbritje e në ndonjë rast më specifik edhe pa pagesë.” ka shtuar Kelmendi.

Valbona Rama Belallari, psikologe ka një mendim paksa më ndryshe nga kolegët e saj dhe konsideron se problemet e vogla mund të  tejkalohen edhe pa vizitë tek psikologu.

“Nuk është nevojshme që sa herë që ju përballeni me ndonjë problem të kërkohet ndihma e psikologut, veçanërisht nëse ka mbështetje të fortë të miqve dhe familjes. Dështimi në funksionimin normal në raport me vetveten dhe të tjerët, dhe pamundësia e menaxhimit të situatave të tilla tregojnë për nevojën e këshillimit profesional”.

Hezitimi i ndarjes së problemit me një të “huaj”, turpi, frika nga etiketimet apo edhe eksperiencat e mëhershme janë pengesat që psikologia i has tek  njerëzit që hezitojnë të shkojnë tek psikologu.

“Probleme të kësaj natyre, të cilat në raste të caktuara pamundësojnë funksionimin normal, është vështirë të ndahen me të afërm dhe miq, e kjo është edhe më vështirë të ndahen me profesionistë të fushës, e që në të shumtën e rasteve konsiderohen si të huaj. Druajtja se të tjerët mund të kuptojnë shqetësimet e tilla, shtyjnë në hezitim. Stigma është shume e dëgjuar tek ne, se nëse ti kërkon ndihmë te psikologu je ‘i çmendur’. Kjo ndodh për shume arsye, por si shkak kryesor mendoj se është mungesa e informacionit rreth roli të psikologu”, thotë Valbona Rama Belallari.

Trajtimi psikologjik, ashtu si dhe mjekimi, është një tjetër shtyllë thelbësore e trajtimit të depresionit. Depresioni është një fazë e cila kalon për një periudh kohore mirëpo e cila kërkon gjenezen që ka sjellur deri ne këtë situat, kjo dhe kërkon kohë për shërim.

Në një shkrim të publikuar nga revista  Psychology Today duke folur për arsyet kryesore për të cilat njerëzit refuzojnë të flasin apo të vizitojnë një psikolog flitet edhe për arysen që njerëzit përdorin.

“Paragjykimi se psikologut nuk i intereson për gjendjen e klientit por i intersojnë parat, mirëpo në përgjithësi njerëzit zgjedhin një psikolog i cili ka përvojë dhe ka pasur sukses në seancat e tjera, nuk njohim ndokënd që ka zgjedhur të jetë psikolog për t’u bërë i pasur”, shkruan mes tjerash.

TheGuardian.com ia kushtoi një analizë këshillimit online apo seancat psikologjike online dhe kostos më të lirë se sa vizitave ballë-për-ballë. Këshillimi i largët, bazuar në tekst, po rritet në popullaritet në mbarë vendin.

Aplikacioni me mjekun Babylon ofron terapi për 150,000 përdorues aktivë, ndërsa PlusGuidance, një shërbim këshillimi online, ka 10,000 përdorues.

Shërbimi me qendër në SHBA BetterHelp gjithashtu ka 150,000 përdorues të regjistruar aktivë. Ky shërbim ofron terapist kudo në botë.

Seancat  janë më të lira se terapia ballë për ballë – një seancë 50-minutëshe në PlusGuidance zakonisht kushton rreth 40 funta apo 43 euro në varësi nga ajo nëse përdoruesi zgjedh thirrje me email, mesazhe ose video. Sipas Talkspace, një seance psikologjike kushton mestarisht nga 75-150 dollarë për orë në Angli, ndërsa në qendra më të mëdha  si New York, ky çmim arrin deri në 200-300 dollarë.

“Njerëzit të cilët drejtohen kundër terapisë akuzojnë terapistët se janë lakmitarë, por terapistët në fakt kanë arsye të vlefshme për çmimet e tyre të larta. Sidoqoftë, mos besoni se jeni bllokuar duke paguar për terapi që nuk mund ta përballoni. Të mësosh pse është kaq e shtrenjtë është hapi i parë drejt kërkimit të alternativave dhe rrugëve për terapi të përballueshme”, shkruan ndër teë tjera në këtë artikull.

Edhe në Kosovë ka filluar të përhapet ky lloj i aplikimit të seancave psikologjike online, faqja PsikologuYt është një faqe që ofron shërbime falas, papagesë online, derisa seanca të ketë sukses tek klienti.

Erletë Rrustemi

r autorin/en:

Erletë Rrustemi, është studente e vitit të tretë, në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë pjesë e KosovaLive, në kuadër të programit “Intership & Mentorship 2”. Ajo ka pasur përvoja me kohëzgjatje një mujore në disa portale, që e kanë ndihmuar në aftësimin e profesionit të saj.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM