Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Bibovic.
Ambasadori Bibovic, me këtë rast, e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën dhe për konstituimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai i vlerësoi të dobishme marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy shteteve dhe njëherësh konfirmoi gatishmërinë e bashkëpunimit bilateral edhe në të ardhmen në çështje të interesit të përbashkët.
Kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadorin Bibovic për mbështetjen që Mali i Zi i ka ofruar Kosovës në fusha të ndryshme, po ashtu e mirëpriti heqjen e taksës kufitare për qytetarët e Kosovës, si dhe u shpreh në dobi të vazhdimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Në takim, ndër të tjera, u diskutua edhe për situatën aktuale politike, zhvillimet rajonale dhe perspektivën evropiane të dy shteteve tona, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.