Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë, tha kryeministri i Republikës Albin Kurti, në hapje të Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, në Prizren.
Arsimi dhe Aftësimi Profesional në qeverisjen tonë ka trajtim prioritar, ka thënë kryeministri Kurti, duke shtuar se një marrëdhënie e fortë dhe institucionale midis sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe sektorit privat është parakusht i domosdoshëm për sistem të suksesshëm të AAP-së.
Në rastin e Kosovës faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë përfshirja e diasporës, e cila do të sjellë përvojat nga shtetet gjermanofolëse dhe bashkërisht do të angazhohemi që t’i përshtatim këto praktika në kontekstin tonë, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.
Samiti me temën “AAP si promotor i transformimit ekonomik dhe industrializimit të Kosovës”, i organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka për qëllim diskutimin mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Kam kënaqësinë të jem i pranishëm në ceremoninë e hapjes të Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Ky i organizuar në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve dhe Fondacionin Besa nga Gjermania.
Së pari jam i lumtur të ju njoftoj që situata ekonomike në Kosovë gjatë këtij pesëmujori të vitit 2021 është përmirësuar dukshëm, krahasuar me pesëmujorin e vitit të shkuar:
– aktiviteti ekonomik është shtuar për 15%,
– eksportet janë rritur për 66%,
– e po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore.
Kjo tregon se si ka eksternalitete pozitive në ekonomi, kur kemi proces dhe rezultat demokratik në zgjedhje. Perspektiva ekonomike pra na bën optimist për të ardhmen. Rritja ekonomike sivjet shkon në 7.9% të Bruto Produktit Vendor.
Këtë tani duhet ta ndjekim edhe me implementimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional që e luan një rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive. Tek ne jo vetëm që e kemi papunësinë e lartë, por fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë e atyre që janë të punësuar, këtë nuk e kryejnë në profesionin e tyre për çfarë e kanë kryer shkollimin e lartë apo edhe të mesëm. Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mbanë çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.
Ne si vend i vogël kemi dy avantazhe si asnjë vend tjetër në rajon por edhe më e gjerë:
Së pari kemi një mërgatë që është lidhur me vendin e vet si pak mërgata tjera në botë. Numri i bashkatdhetarëve që vijnë më shumë se një herë në vit në vendlindje është tejet i madh. Një mërgatë nga e cila ne mund të mësojmë shumë. Edhe unë për vete, Arsimin dhe Aftësimin Profesional e kam mësuar para disa viteve, nga një mërgimtare e jona nga Zvicra e cila më shpjegoi sistemin e trajnimit dual dhe përfitimet nga ky sistem. Mërgata jonë nga shtetet gjermanofolëse i di më së miri përparësitë dhe faktorët kyç të një sistemi të zhvilluar të edukimit dual. Andaj fillimi i një bashkëpunimi të tillë shpresoj të rezultojë me sukses përmes sjelljes së përvojave të mira në Kosovë si dhe përshtatjes së tyre në kontekstin e vendit tonë.
Avantazhi i dytë qëndron te demografia: Jemi populli më i ri në Evropë. Rinia jonë ka afinitet në teknologjinë e informacionit, është poliglote, pra din shumë gjuhë dhe moderne. Kjo e bën atë të aftë për të arritur dhe kontribuar shumë në shoqëri. Kjo rini e meriton mbështetjen e të gjithë neve, si të arsimit që buron nga shteti dhe jo vetëm, poashtu edhe të bizneseve qofshin ato publike apo private.
Përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe pra e kemi paradoksin, sepse bizneset respektivisht industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. Këto sinjale na kanë bërë të ditur që sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional pa marrë parasysh që është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’i përshtatet nevojave të industrisë. Gjithashtu në qoftë se jemi të interesuar që të tërheqim investime të huaja në vend, po që besa edhe vendasit të ri-investojnë, duhet të jemi në dijeni që faktor kyç për investitorët e huaj është fuqia punëtore e kualifikuar e cila do të punësohej menjëherë.
Në mënyrë që Arsimi dhe Aftësimi Profesional t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës, përfshirja e sektorit privat në të gjitha proceset është thelbësore duke filluar nga identifikimi i nevojave të tyre për kualifikime, procesin e zhvillimit të kurrikulave, apo plan programeve siç i kemi quajtur dikur, dhe ofrimin e mundësisë për nxënës për të praktikuar shkathtësitë në mjedise të punës. Prandaj, një marrëdhënie e fortë dhe institucionale midis sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe sektorit privat, është një parakusht i domosdoshëm për një sistem të suksesshëm të AAP-së.
Ky organizim i sotëm dëshmon fuqizimin e kësaj marrëdhënie.
Unë jam shumë i gëzuar, përveç se i nderuar që ndodhem këtu me juve sot.
Arsimi dhe Aftësimi Profesional në qeverisjen tonë ka trajtim prioritar. Disa nga masat që do të ndërmerren në lidhje me ketë do të jenë:
– Fokusi në fuqizimin e bashkëpunimit me industritë dhe përfaqësuesit, në mënyrë që të kuptohen qartazi nevojat për fuqi punëtore si dhe identifikimi i incentivave që do të mundësojnë përfshirjen e tyre në përgatitjen e fuqisë punëtore;
– Tjetra: optimizimi i kualifikimeve të ofruara nga Arsimi dhe Aftësimi Profesional bazuar në nevojat lokale të industrisë;
– Fuqizimi i zbatimit e i të mësuarit në vend të punës në sektorët me potencial ekonomik, sepse ne jo vetëm që mësojmë për të punuar, po ne mësojmë edhe duke punuar, sepse nuk bëhet vetëm dija përvojë por edhe përvoja bëhet dije.
– Ngritja e vetëdijes së prindërve, nxënësve dhe komunitetit biznesor për rëndësinë e AAP-së përmes qendrave të karrierës, që do të hapen pothuajse në të gjitha shkollat profesionale; dhe
– Koordinimi i përmirësuar i donatorëve në mënyrë që fondet të fokusohen në nevojat për reformimin e duhur të AAP-së.
Fakti qëndron se nuk ka asnjë sistem ideal të AAP-së. Instalimi i sistemit të AAP-së nuk i eliminon sfidat, por i shndërron vështirësitë në sfida të tejkalueshme.
Andaj na nevojitet një sistem i cili u përshtatet nevojave të vendit tonë, meqenëse nuk ka model universal.
Në rastin e Kosovës faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë përfshirja e diasporës, e cila do të sjell përvojat nga shtetet gjermanofolëse dhe bashkërisht do të angazhohemi që t’i përshtatim këto praktika në kontekstin tonë. Ky samit është njëri nga nismat e para në këtë drejtim aq të nevojshëm.
Ju përgëzoj edhe një herë për këtë organizim dhe ju dëshiroj shumë suksese! Uroj që samiti t’i arrijë objektivat e tij duke e ngritur vetëdijen e palëve me interes për rëndësinë e AAP-së si dhe të nxjerr një varg rekomandimesh që do të mund të na ndihmojnë ne si shtet në formësimin e AAP-së dhe transformimin e saj në një sistem sa më funksional.
Pra bashkërisht, Qeveria, arsimi, bizneset, le t’i lidhin dijen dhe punën në mënyrë që ta sjellin vlerën dhe përvojën. Vlerën e mallit që prodhohet ose shërbimit që jepet dhe përvojën e punëtorit, i cili në këtë mënyrë bëhet edhe qytetar më i mirë i Republikës, por edhe kontribues për shoqërinë.