Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: BE ta krijojë një momentum të ri për reformat, ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm

Gus 30, 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim virtual në Forumin Evropian Alpbach 2021, në Austri, ku ishte i ftuar të merrte pjesë fizikisht, por që e anuloi pjesëmarrjen shkaku i gjendjes së rënduar me pandeminë COVID19.

Kryeministri Kurti shpalosi pikëpamjet e Kosovës në panelin me temën “Sticks and Carrots Still? Relationship Menagment for Western Balkans and the EU” (Ende shkop dhe karrotë? Menaxhimi i marrëdhënies ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian).

Pjesë e këtij paneli ishin Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nënkryetarja e Forumit Evropian Alpbach,Katarzyna Pisarska, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Alena Kudzko, drejtore e Institutit GLOBSEC.

Kryeministri Kurti zgjodhi ta hap fjalimin e tij, duke u përqendruar në rëndësinë e çështjes së personave të zhdukur, jo vetëm sepse sot është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, por sepse siç tha ai, nganjëherë ambicia jonë për të lëvizur drejt së ardhmes ngatërrohet me detyrën tonë për t’u marrë me të shkuarën.

“Dhe sidomos në ditë si këto, duhet t’ia kujtojmë vetes dhe aleatëve tanë se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën mund të ecim siç duhet drejt së nesërmes. Nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Duke folur për temën e ngritur në panel, kryeministri Kurti tha se beson që BE-ja i ka fituar prej kohësh zemrat dhe mendjet e të gjitha vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo, siç tha ai, mund të shihet në garën midis vendeve të BP6 për të hyrë në BE, si dhe zhgënjimin me të cilin përballen kur nuk arrijnë të kalojnë në fazën e radhës në procesin e integrimit.

Për sa i përket kushtëzimit, kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet të veprojë në mënyrë më etike dhe më të drejtë.

“Politika e shkopinjve dhe karotave nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dy palët”, tha ai.

Pamundësia për t’i hequr kufizimet e vizave për Kosovën dhe për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sipas kryeministrit, po shfaq gjithashtu nevojën për të reformuar jo vetëm politikën e zgjerimit, por edhe sistemin e vendimmarrjes së BE-së.

Kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet t’i qartësojë 5 gjëra në raport me Ballkanin Perëndimor: ta krijojë një momentum të ri për reformat dhe ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm, ta rrisë financimin, të marrë përgjegjësi për kontinentin tonë, të rrisë sinkronizimin midis Brukselit dhe Uashingtonit dhe ta përmbyllë ombrellën e sigurisë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.

Më vjen keq për këtë pjesëmarrje online në vend se të isha prezent atje. U detyrova të qëndroj në Kosovë për shkak të përkeqësimit të situatës me variantin Delta të COVID-19. Dje u raportuan 36 vdekje.

 

Sot, më 30 gusht, është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve.

 

Sot e kësaj dite, në Kosovë kemi 1632 persona të cilët janë zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në vend.

 

Gjetja e të zhdukurve kurrë nuk është detyrë e lehtë. Por nuk është e pamundur. Sidomos kur përballemi me kokëfortësi nga pala tjetër. Një kokëfortësi që investon më shumë në bashkimin e forcave për t’i fshehur varret masive, në vend që të ndihmojë në hapjen e tyre, identifikimin e kufomave dhe vazhdimin e hetimeve penale. Edhe në kuadër të varreve masive që janë hapur në Serbi, në dijeninë tonë nuk është kryer asnjë hetim penal.

 

Zgjodha ta hap fjalimin tim sot duke e përqendruar rëndësinë e çështjes së personave të zhdukur, jo vetëm sepse sot është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, por edhe sepse nganjëherë ambicia jonë për të lëvizur drejt së ardhmes ngatërrohet me detyrën tonë për t’u marrë me të shkuarën. Dhe sidomos në ditë si këto, duhet t’ia kujtojmë vetes dhe aleatëve tanë se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën mund të ecim siç duhet drejt së nesërmes. Nuk ka rrugë tjetër.

 

Tani dua të filloj duke trajtuar drejtpërdrejt çështjet e ngritura në këtë panel, e që është nëse ka kaluar moti mundësia që BE-ja t’i fitojë zemrat dhe mendjet në BP6 (6 vendet e Ballkanit Perëndimor)?

 

Dhe përgjigja e thjeshtë është jo. NJË JO E MADHE. Kjo sepse Ballkani Perëndimor nuk ka qenë asnjëherë më i integruar me vendet e BE-së sesa sot. Dhe kurrë nuk ka pasur më shumë prani të BE-së në politikat dhe vendimmarrjen e përditshme, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

 

Besoj se BE-ja i ka fituar prej kohësh zemrat dhe mendjet e të gjitha vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo mund të shihet në garën midis vendeve të BP6 për të hyrë në BE, si dhe zhgënjimin me të cilin përballen kur nuk arrijnë të kalojnë në fazën e radhës në procesin e integrimit.

 

Pra, pyetja nuk duhet të jetë nëse BE-ja po bën mjaftueshëm për t’i fituar zemrat dhe mendjet e Ballkanit Perëndimor, por si po e shfrytëzon ajo këtë fitore dhe a po rrezikon t’i humbasë fitimet e investimeve prej dekadash?

 

E them këtë sepse jam i shqetësuar se ka kthim prapa në fushat kryesore të demokracisë në disa vende të BP6, ku ne menduam se progresi ishte i pakthyeshëm.

 

Dhe përgjigja këtu është gjithashtu shumë e thjeshtë. BE-ja nuk po bën sa duhet në krahasim me kapacitetet dhe mundësitë e saj. Duke i pasur parasysh këto, BE-ja është ekonomia më e pasur në botë. Qytetarët e saj gëzojnë të drejtat më të avancuara dhe përfitojnë nga programet më të avancuara sociale, por BE-ja duhet të jetë më e gatshme për ta ndarë me të tjerët këtë prosperitet.

 

Me fjalë të tjera, BE-ja nuk po ka guximin që të “rrezikojë” me BP6 ashtu siç pati guximin të “rrezikojë” me vendet e Evropës Qendrore Lindore më shumë se 15 vjet më parë. Dhe sinqerisht as ata nuk ishin aq të përgatitur. Por sot ata janë më mirë se kurrë. Ky është problemi sot. Të kuptuarit që BE-ja mund të reformohet nga brenda dhe të zgjerohet nga jashtë në të njëjtën kohë. Është e vërtetë që ne nuk jemi anëtarë, por nuk jemi as fqinjë, pasi jemi të rrethuar nga vendet e BE-së.

 

Për sa i përket kushtëzimit, BE-ja duhet të veprojë në mënyrë më etike dhe më të drejtë. Politika e shkopinjve dhe karotave (ang. “sticks and carrots”) nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dy palët.

 

Nga ana tjetër, të tjerët kanë marrë shumë karota ndërsa largohen shumë nga rruga e BE-së. I tillë është rasti i Serbisë e cila mori liberalizimin e vizave, MSA-në, statusin e kandidatit, hapjen e negociatave dhe ka hapur 18 kapituj, të gjitha këto brenda një dekade, ndërkohë që vazhdimisht bën kthim prapa në raport me parimet kryesore demokratike. E si është e mundur kjo, e dinë vetëm ata në Komisionin e BE-së që përdorin shkopinj dhe karota.

 

Për më tepër, pamundësia për t’i hequr kufizimet e vizave për Kosovën dhe tani për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po shfaq gjithashtu nevojën për të reformuar jo vetëm politikën e zgjerimit, por edhe sistemin e vendimmarrjes së BE-së.

 

Për ta përfunduar këtë hyrje të shkurtër, them që BE-ja duhet t’i qartësojë 5 gjëra në raport me Ballkanin Perëndimor.

 

  • Së pari, ta krijojë një momentum të ri për reformat dhe ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm. Për këtë synim edhe ne duhet të avancojmë në një marrëveshje të re rajonale të cilën kohët e fundit ne e quajtëm SEFTA dhe e cila do të modelohej në EFTA-EEA. Kjo marrëveshje e re do të rriste integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe do t’i hiqte barrierat midis vendeve të BP6 dhe midis BP6 dhe BE-së, duke e sjellë kështu rajonin më afër zonës së tregut të vetëm të BE-së dhe anëtarësimit të plotë. Diçka nga e cila përfitojnë të gjithë.
  • Së dyti, ta rrisë financimin. IPA 3 është premtues, por ekonomia më e madhe në planet mund të bëjë më shumë dhe duhet të bëjë më shumë. Financimi duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë në përputhje me nevojën e secilit vend dhe të kushtëzohet me progres real dhe kuptimplotë në demokratizim, siç është sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile. Një financim i tillë do të synonte punësimin e të rinjve, arsimin dhe infrastrukturën.
  • Së treti, të marrë përgjegjësi për kontinentin tonë. Kjo është detyrë vendimtare për një fuqi ekonomike. BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë brenda kontinentit të saj në mënyrë që të projektojë fuqinë në skenën botërore. BP6 është Evropë dhe BE-ja duhet të rrisë praninë e saj dhe të mbrojë interesin e kontinentit kundër aktorëve të tretë konkurrentë që nuk ndajnë të njëjtat vlera. BE-ja duhet të mbrohet dhe të ruhet. Përfshirja e PB6 ndihmon në këtë qëllim.
  • Së katërti, të rrisë sinkronizimin midis Brukselit dhe Uashingtonit. Kur janë së bashku, BE-ja dhe SHBA-ja janë një fuqi e pakrahasueshme në të gjitha aspektet. Vitet e fundit ishim dëshmitarë të dëmit që mund të shkaktohet kur Uashingtoni dhe Brukseli nuk flasin me një zë të vetëm në çështjet vendimtare. Vendet e BP6 mbështeten në Aleancën Transatlantike.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM