Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sipas presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit.
Më tej, Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.
Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.