Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se ne nuk kemi fat tjetër përveç Bashkimit Evropian dhe nuk kemi kontinent tjetër përveç Evropës.
Në konferencën e organizuar pas vizitës së përbashkët në çerdhen “Cicërimat”, e cila është financuar nga Instrumenti për Paraanëtarësim i Bashkimit Evropian, kryeministri falënderoi BE-në, si një ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë.
Duke folur për takimin e sotëm, kryeministri bëri të ditur se kanë biseduar për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ku siç dihet, Kosova është e fundit në rajon dhe faktin se duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim, në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat. Po ashtu, edhe për vendimin e vonuar të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, aq më tepër, që në korrik të këtij viti janë mbushur tre vjet, prej se edhe vet Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, kryeministri vuri theksin te nevoja për bashkëpunim më të madh ekonomik në mes të vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit dhe implementimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, pasi heqja e barrierave tregtare dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, sjellë përfitime për të gjitha palat.
Ai shprehu gatishmërinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta, njohjen e diplomave, por edhe njohjen e përbashkët të profesioneve mbi bazën e trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Gjithashtu e njoftova Presidenten e Komisionit Evropian, edhe me gjendjen në pikat kufitare 1 dhe 31, në pikat kufitare, pra, Bërnjak dhe Jarinje. Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa te vija kufitare, duke përfshirë edhe tankset “T-72”, automjete të blinduara “Lazar 3” dhe automjete luftarake shumqëllimshme “BOV M16 MILOSH”, dhe përveç këtyre ka angazhuar edhe aeroplanë luftarak rus “MIG29” dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia për fluturime gjatë kufirit,” tha kryeministri Kurti.
Ai kërkoi që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinje, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke, helikopterë e avionë MIG në kufi me Kosovën.
“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina,” tha kryeministri.
Në përmbyllje të konferencës, kryeministri Kurti theksoi se mirëpret intensifikimin e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në muajt e vitet në vijim.
Më lejoni që fillimisht ta falënderoj Presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, e cila na ka nderuar shumë me vizitën në Republikën e Kosovës dhe me takimet, të cilat po i zhvillon me neve këtu.
E vizituam çerdhen “Cicërimat”, e cila është financuar nga Instrumenti për Paraanëtarësim i Bashkimit Evropian apo nga IPA Fondet, siç njihet ndryshe.
Bashkimi Evropian është ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, i pranishëm tash e dy dekada, që ka investuar në shumë fusha. Vetëm gjatë periudhës 2014-2020, përmes IPA 2, Bashkimi Evropian ka përkrahur Kosovën me 600 milionë euro, që kanë pasur ndikim direkt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Gjatë takimit të sotëm, që patëm me Presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen, biseduam për një sërë çështjesh, por fokusi kryesor ka qenë për projektet, të cilat i kemi në përgatitje për planin e investimeve ekonomike.
E njoftova zonjën presidente se në kuadër të këtij plani investiv për gjashtë vitet e ardhshme, ne tashmë si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi identifikuar mbi 100 projekte, që shtrihen në trembëdhjetë sektorë të ndryshëm dhe që mbërrijnë një buxhet prej mbi 2.7 miliardë euro.
Ne besojmë se këto investime do të ndihmojnë të krijojmë një bazë të fuqishme për zhvillim.
Po ashtu, kemi biseduar edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ku siç dihet, Kosova është e fundit në rajon dhe faktin se duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim, në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat, si dhe për vendimin e vonuar të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, aq më tepër, që në korrik të këtij viti janë mbushur tre vjet, prej se edhe vet Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Biseduam edhe për situatën me COVID, pasojat që i sjellë varianti eksploziv DELTA me ç ‘rast kemi humbur shumë jetë njerëzish dhe me lejoni që edhe njëherë të gjithë atyre që i kanë humbur familjarët ose më të dashurit e të njohurit e tyre t’ju shpreh ngushëllime tona më të sinqerta. E njëkohësisht e njoftova edhe për progresin që kemi shënuar me vaksinim, ku edhe pse kemi filluar të fundit duke mos gjetur asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të nënshkruar atëherë kur morëm detyrën në fund të marsit, sot jemi mbi mesataren e rajonit, me 62 % të popullsisë të përcaktuar për vaksinim me një dozë dhe 41% me dy doza.
I jemi mirënjohës Bashkimit Evropian për mbështetjen në ballafaqimin me pandeminë COVID-19. Në këtë drejtim folëm edhe për pranimin e çertifikatave të COVID-19 nga Bashkimi Evropian, ku Ministria e Shëndetësisë tashmë ka zhvilluar një modul që lejon gjenerimin e të dhënave në kartën e vaksinimit. Ne kemi iniciuar gjithashtu edhe procedurat për t’u bërë anëtarë të Certifikatës Digjitale të Bashkimit Evropian për COVID.
Diskutuam edhe për programin tonë qeverisës dhe reformat që kemi ndërmarrë në drejtësi me inicimin e ligjeve për vetting në sistemin e drejtësisë dhe për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe të pajustifikueshme, pra luftën e pa kompromis tonën ndaj korrupsionit e për drejtësi.
Në rrafshin ekonomik e njoftova presidenten Von der Leyen se ekonomia i është përgjigjur pozitivisht zhvillimeve demokratike dhe intervenimeve tona qeveritare. Krahasuar me të njëjtën periudhë nga viti i kaluar në këta 7 muaj të fundit kemi rritje prej 63% në eksporte, 28 % në të hyra buxhetore dhe 30 % në aktivitet ekonomik, duke parashikuar së paku për vitin 2021 një rritje prej 7.9%, e cila në këta muajt e fundit është shumë më e lartë sesa kaq krahasuar me vitin e kaluar.
Kemi biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal e sidomos bashkëpunim më të madh ekonomik në mes të vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit dhe implementimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, pasi heqja e barrierave tregtare dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, sjellë përfitime për të gjitha palët.
Unë shpreha gatishmërinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta, njohjen e diplomave, por edhe njohjen e përbashkët të profesioneve mbi bazën e trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Gjithashtu e njoftova Presidenten e Komisionit Evropian, edhe me gjendjen në pikat kufitare 1 dhe 31, në pikat kufitare, pra, Bërnjak dhe Jarinje. Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa te vija kufitare, duke përfshirë edhe tankset “T-72”, automjete të blinduara “Lazar 3” dhe automjete luftarake shumqëllimshme “BOV M16 MILOSH”, dhe përveç këtyre ka angazhuar edhe aeroplanë luftarak rus “MIG29” dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia për fluturime gjatë kufirit.
Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinje, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke, helikopterë e avionë MIG në kufi me Kosovën.
Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina.
Unë e falënderoj nga zemra Presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen, duke theksuar që ne nuk kemi fat tjetër përveç Bashkimit Evropian dhe nuk kemi kontinent tjetër përveç Evropës.
Faleminderit shumë Presidente Von der Leyen. Unë mirëpres intensifikimin e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në muajt e vitet në vijim.