Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga deputeti Driton Selmanaj.
Ky Komision Parlamentar me fillim të muajit tetor ka marr vendim për formimin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit 06/L – 057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore.
Ministrja Haxhiu fillimisht e ka vlerësuar angazhimin e Komisionit dhe njëherit i ka njoftuar deputetët lidhur me dy ligjet përkatëse. Tutje Haxhiu njoftoi anëtarët e Komisionit për çështjet të cilat janë duke u adresuar me ndryshimet ligjore lidhur me Ligjin për KPK të cilat afektojnë gjithashtu në Ligjin për Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pastaj për vështirësitë dhe mangësitë e identifikuara në zbatim ë Ligjit për Procedurën Përmbarimore si dhe çështjet e adresuara me ndryshim plotësimet e reja të këtij Ligji, përfshirë analizën e cila është duke u kryer si dhe procesin e ndryshim plotësimit të udhëzimet administrative për tarifat e përmbaruesve privat.
Kryesuesi i Komisionit Selmanaj, pasi shprehu disa nga problemet dhe vështirësitë në zbatimin e këtyre ligjeve, theksoi gatishmërinë e tij dhe të anëtarëve të këtij Komisioni për të bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ligjet e lartpërmendura dhe njoftoi ministren Haxhiu për hapat tutje dhe komunikimin për çështjet e rëndësishme të zbatueshmërisë së këtyre ligjeve.
Ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qëllim të avancimit të mëtejmë të legjislacionit në fuqi dhe ndryshimeve të nevojshme që duhet bërë, veçanërisht pas monitorimit dhe rekomandimeve të dala nga Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe adresimin e rekomandimeve të tilla, thuhet në komunikatën për media e MD-së.