Build Skills with our trainings

Sign up now!

Zëvendësimi i qeseve të plastikës me “Tote bags” mund të mos jetë aq “miqësor” për ambientin

Dhj 13, 2021

Ideja e çantave shumëpërdorimshe (tote bags) është përmendur për herë të parë në vitin 2007 nga dizajnerja Anya Hindmarch, përmes kampanjës “I’m not a plastic bag,” (“Unë nuk jam qese e plastikës”). Përkundër asaj se këto çanta u shitën shumë shpejt gjatë fushatës. prania e tyre nuk u vërejt aq shumë, ndonëse viteve të fundit mund të gjinden gjithandej. 

Në një shëtitje e rëndomtë në rrugë ose një vizitë dyqani apo marketi, kudo shihen njerëz që mbajnë çanta të tilla në krah. 

Edhe Eli Vula tash e një kohë të gjatë i përdorë çantat shumëpërdorimshe, të ashtuquajtura “tote bags”. Rregullisht i mban në dollapin e saj për arsye se i konsideron jashtëzakonisht praktike dhe shumë të lehta për t’u përdorur. Te këto çanta, Eli veçon dizajnet dhe llojllojshmërinë e tyre, por gjithashtu edhe faktin se janë shumë të lira për t’u blerë. 

“Çanta e fundit që unë po e përdor shpesh është me dizajn të Mona Lizës. Nuk është se më karakterizon mua si natyrë por thjesht më ka pëlqyer,” thotë ajo. 

Për Elin, “tote bags” kanë ndikim shumë pozitiv në ambient, pasi që reduktojnë përdorimin e qeseve të plastikës, një ndër ndotësit më të përhapur të ambientit. 

The World Counts numëron sfidën e qeseve të plastikës si një prej sfidave më të mëdha të kohës. Brenda një viti, prodhohen 5 trilionë qese të plastikës, që i bie 160,000 për sekond. Prej tyre, më pak se 1% riciklohen; pjesa më e madhe hidhen kudo. Kjo e bën këtë sfidë akoma më alarmante. 

Drejtori ekzekutiv i organizatës së pavarur Let’s Do It Kosova – Ta pastrojmë Kosovën, Luan Hasanaj i sheh çantat shumëpërdorimshe si një alternativë shumë e mirë e mundshme për reduktimin e qeseve plastike. 

“Këto çanta nuk i shoh aspak si të dëmshme. Duke filluar që nga prodhimi i tyre dhe gjithçka tjetër që lidhet me to është miqësore ndaj mjedisit,” shprehet ai. 

Ai i inkurajon qytarët që t’i përdorin, madje e sheh të nevojshme krijimin e fushatave që do ndikonin në shtimin e përdorimit të tyre. 

Një pikëpamje e tillë zë vend. Duke qenë se është paraqitur një nevojë e menjëhershme për të reduktuar përdorimin e qeseve plastike në përmasa alarmante, një “tote bag” e thjeshtë mund të ndihmojë sadopak. 

Ani pse “tote bags” reduktojnë përdorimin e qeseve të plastikës, dilema e përdorimit të tyre qëndron, ngase hovi i madh i përdorimit të tyre viteve të fundit dhe hulumtimet e bëra në këtë fushë rekomandojnë edhe reduktimin e “tote bags” deri në një masë. 

Së fundmi, ekspertët kanë dalur me një rekomandim se çantat e tilla shumëpërdorimshme duhet të monitorohen prej së afërmi. E gjithë kjo përqendrohet te përdorimi i tepërt nga bizneset për të promovuar shërbimet e tyre përmes çantave të tilla, gjë që nuk po pritet mirë nga ambientalistët. 

Ashtu si qeset e plastikës, edhe çantat shumëpërdorimshe shumohen. Për shkak se janë lehtësisht të qasshme, çantat e tilla që janë përdorur shumë pak (ose fare) mund të gjinden të grumbulluara në rrugë e në kontenjerë kudo në botë. Si rrjedhojë, përdoruesit e tyre i shohin më tepër si çanta njëpërdorimshe, që zbeh vet pikësynimin primar të këtyre çantave – qëndrueshmëria. 

Faktin që këto çanta po përdoren tej mase nga bizneset dhe organizatat e ndryshme të pavarura e dëshmon edhe Bleona Hoxha, pronare e biznesit “Studio Moda” e cila tregon se kërkesat më të mëdha janë ato të klientëve që kërkojnë “tote bags” pikërisht për këtë arsye. 

“Ajo çka më ka rënë në sy është që personat që kërkojnë kësi lloj çanta sikur e kanë një stil më vete. Nganjëherë kemi kërkesa nga shkollat mirëpo edhe nga organizatat të cilat i dhurojnë falas për aktivistët e tyre,” thotë ajo përderisa thotë nuk sheh ndonjë efekt negativ të tyre. 

Nga një studim i vitit 2018 të Ministrisë së Ushqimit dhe Mjedisit në Danimarkë, del se një çantë e tillë duhet të përdoret deri 20,000 herë për t’u shfrytëzuar plotësisht; i bie se një çantë e vetme duhet të përdoret për rreth 54 vite para se të blihet tjetra, e këtu problemi fillon të thellohet, sidomos me çanta të tilla të punuara me material të pambukut. Stërpërdorimi i “tote bags” nënkupton nevojë të tepërt të prodhimit të tyre, që në fund barazohet me tepricë të shfrytëzimit të pambukut, ujit dhe ngjyrës për prodhim. Më e keqja është se vetëm 15% nga 30 milionë tonë pambuku të përdorur shkojnë në riciklim. Edhe ato çanta që arrijnë deri te reciklimi, nuk mund të reciklohen plotësisht pasi që ngjyra e përdorur në dizajne dhe logoja gjatë prodhimit është kimikisht vështirë e riciklueshme. 

Me një fjalë, çantat shumëpërdorimshe (“tote bags”) bëhen një shembull tipik kur njerëzit duan të kontribuojnë pozitivisht, mirëpo shumë lehtë mund të ndodh e kundërta.

Sipas ekspertëve, ndryshimin mund ta bëjnë kompanitë të cilat, kur shesin produktet e tyre, ua bashkangjisin edhe nga një “tote bag”, që nuk mund të jetë aspak e dobishme. Për më tepër. njerëzit që kanë çanta të tilla në posedim është më mirë t’i shfrytëzojnë deri në fund para se ta blejnë një tjetër të re. Ngaqë problemi duket të jetë kolektiv, edhe zgjidhja mund të orfrohet kolektivisht. Konsumatorët dhe bizneset të ulin keqpërdorimin e tyre në mënyrë që edhe këto çanta të mos jenë pjesë e problemeve që veçse ekzistojnë.

Arta Drenica

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM