Build Skills with our trainings

Sign up now!

COVID-19 çrregullon edhe ato pak aktivitete kulturore në Drenas

Dhj 20, 2021

Këngë e valle nuk hidhen më si dikur. Edhe pse ishin të rralla, prapë se prapë për qytetarët e Drenasit këto aktivitete ishin të mirëpritura në kohën kur ndodhnin. 

Sot këto aktivitete i mungojnë edhe më shumë qytetarëve të kësaj komune, mbajtjen e të cilave e rëndoi pandemia COVID-19, për të shuar më pastaj shumëçka që veç sa kishte nisur.

Mergim Qorri, pjesë e ansamblit “Shotë Galica” në Komunë e Drenasit thotëse aktivitetet kulturore, sidomos ato që kanë lidhje me muzikën popullore janë shumë të pakta në këtë komunë.

Sipas tij, pandemia ka ndikuar shumë në organizimin e këtyre eventeve, derisa tregon se gjatë kësaj periudhe aktivitetet në të cilat ky ansambël ka marrë pjesë kanë qenë të pakta.

“Gjatë pandemisë COVID-19 nuk kemi mbajtur shumë aktivitete, ne si ansambel kemi qenë pjesë e 3 apo 4 aktiviteteve kulturore”, thotë ai për KosovaLive.

Si rezultat i kësaj, ai thotë që gjendja duhet të ndryshojë dhe se institucionet vendore duhet të bëjnë më shumë për këtë fushë.

Foto e ansamblit “Shotë Galica” gjatë festivalit Multikulturor “KAMZA 2018”

Të njëjtën kërkesë për institucionet ka edhe Fatbardha Veliu, ndjekëse e vazhdueshme e aktiviteteve kulturore në komunën e Drenasit.

Ajo shprehet se institucionet duhet t’ju ofrojnë banorëve mundësi që të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve.

“Për këtë çështje duhet të angazhohen të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe atij lokal, në mënyrë që banorëve të ju ofrohen mundësi sa më të mira, qoftë në aktivitetet kulturore apo sportive, sepse e gjithë kjo do të ndikojë që të kemi një shoqëri sa më kompakte”,  thotë ajo.

Ndërsa Aulona Plakaj, nga komuna e Drenasit thotë se po i mungojnë shumë aktivitetet kulturore që organizoheshin viteve të kaluara në këtë komunë. Ajo përmend “Muajin e Mërgatës”, aktivitet i cili sipas saj, zhvillohej për 35 ditë radhazi.

“’Muaji i Mërgatës’ ishte ajo që shumica e banorëve dhe mërgimtarëve tanë kishin nevojë, një aktivitete që zhvillohej për 35 ditë radhazi për nderë të atyre që po bëjnë gjithçka për ne”, thotë ajo.

Sipas saj, sa më i lartë të jetë numri i aktiviteteve kulturore, aq më i madh do të jetë edhe zhvillimi ekonomik për të gjithë, e sidomos për banorët e Drenasit.

Mungesën e aktiviteteve kulturore e kanë vërejtur edhe asamblistë në komunën e Drenasit.

Ata thonë se këto aktivitete janë shumë të nevojshme për qytetarët, andaj edhe shprehen se këtë çështje do ta ngrisin.

Valentina Leku-Gashi, asambleiste në komunën e Drenasit ka thënë për KosovaLive se kjo çështje do të zërë vend për diskutim në Kuvendin Komunal, sepse sipas saj, qytetarët e Drenasit kanë nevojë për aktivitete të tilla.

“Në Drenas ka nevojë për më shumë aktivitete kulturore, dhe unë si asambleiste do të i mbështes me këmbëngulje të gjitha kërkesat e qytetarëve, duke ngirtur kështu edhe çështjen për mungesën e aktiviteteve kulturore në Drenas”, tha ajo.

Përveç diskutimit në Kuvendin Komunal, Komuna e Drenasit ka në planin e saj vjetor, zhvillimin dhe përkrahjen e shumë aktivitetve të ndryshme kulturore.

Nga kjo komunë kanë thënë për KosovaLive se pandemia ka penguar të gjitha aktivitetet kulturore në Drenas dhe se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) ka qenë e obliguar të zbatojë rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik.

Gjithë ngërçin e kësaj situate komuna e Drenasit ndër vite është munduar ta tejkalojë përmes organizimit të aktivitetit “Muaji i Mërgatës” i cili ka filluar në vitin 2018 dhe përfshinte aktivitete të ndryshme të cilat do të shfaqeshin për herë të parë për bashkëatdhetarët.

 “Në  plan  të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është i planifikuar, por ne varemi nga gjendja e situatës pandemike dhe Rekomandimeve të IKSHP-së”, bëjnë me dije nga komuna e Drenasit.

Situata pandemike nuk e pamundësoi realizimin e ekspozitës “Drenasi im i bukur në 160 fotografi” të realizuar nga fotografi Albert Sinani, e cila u mbajtë në vitin 2020, në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Për të zhvilluar të gjitha këto aktivitete kulturore përveç hapësirave të tanishme, Komuna e Drenasit në vitin 2019 ka përuruar objektin e Qendrës edukativo-kulturore, donacion nga Kuvajti e cila do të jetë në shërbim të aktivitete të organizatave të ndryshme, sidomos ato të grave.

Fotografi Albert Sinani, thotë se arsyeja e realizimit të kësaj ekspozite është promovimi i zonave rurale dhe urbane të Drenasit, por mbetet sfidë e saj pamundësia e një audience më të madhe.

“Sfida më e madhe ka qenë pandemia për shkak se më ka pamundësuar të mbledh më shumë njerëz për shkak të masave anti-covid”, u shpreh ai KosovaLive.

Sopas Sinanit, përkrahja e Komunës së Drenasit dhe disa bizneseve nuk ka munguar për realizimin e kësaj ekspozite, ndërkohë që thekson se ajo çfarë po i mungon kulturës është edhe hapësira mediatike.

Jeta Zymberi, redaktore në portalin KultPlus, thotë se aktivitetet kulturore nuk mungojnë në vendin tonë, por shumica e tyre realizohen në kryeqytet dhe se publiku i Prishtinës ushqehet shumë më shumë në këtë aspekt, por prapë sipas saj, ka vend edhe për shumë risi sepse aktivitetet kulturore asnjëherë nuk janë të mjaftueshme.

Ajo tha se raportimi për ngjarjet kulturore në media është i mangët.

“Ka mungesë të dukshme të raportimit të ngjarjeve kulturore nëpër media. Shumicën e rasteve kur kjo ndodhë, ndodhë për arsye se kanë hapësirë të lirë. Por prioritet asnjëherë nuk janë ngjarjet kulturore. Politika ka përfshirë secilen media dhe ka mungesë të dukshme të programeve”, thotë Jeta Zymberi.

Zymberi po ashtu shprehet se pandemia ka ndikuar shumë në këtë aktivitete dhe se përveç mbylljes së tyre aspekti financiar është një pjesë ku ajo është goditur më së shumti.

Përkundër vështirësive tani ka një arsye më shumë për të rifilluar këto aktivitete është edhe lirimi i masava përmes vendimit të fundit të Qeverisë, sipas të cilit mund të shfrytëzohen deri në 50% të hapësirave ku do të mbahen aktivitetet kulturore. 

Rinesa Qorri

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM