Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.
Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike,. Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2020 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022. (Bashkëngjitur gjeni masat e aprovuara me këtë vendim)
Në këtë mbledhje u themelua Këshilli Organizativ për shënimin e 14 (katërmbëdhjetë) vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me këtë përbërje:
- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesuese;
- Përfaqësues, Ministria e Mbrojtjes, anëtar;
- Përfaqësues, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;
- Përfaqësues, Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar dhe
- Përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit, anëtar.
Në përbërje të Këshillit ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe:
- Përfaqësues, Zyra e Presidentes, anëtar;
- Përfaqësues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;
- Përfaqësues, Komuna e Prishtinës, anëtar;
- Kryetarët e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar;
- Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar dhe
- Përfaqësues të OJQ-ve.
Në bazë të vendimeve të Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Qeveria i ka rishqyrtuar duke i plotësuar proceduralisht dhe kështu rikonfirmuar vendimet me Nr. 34/39 të datës 13.10.2021 dhe 11/44 të datës 21.11.2021 nëpërmjet të cilave ka shfuqizuar dy vendime të qeverisë së mëparshme; atë me Nr. 13/59 të datës 21.01.2021 për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe vendimin me Nr. 16/31 të datës 21.09.2020 për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Më tej, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro (10,000,000.00€), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.
Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit. Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.