Build Skills with our trainings

Sign up now!

Jo të gjitha bizneset përfituan sa duhet nga pakot ekonomike anti-COVID

Shk 21, 2022

COVID-19 ndryshoi rrjedhën e “ujërave” të çdo sfereje të jetës, si dhe zonën e komfortit të çdo qytetari në këtë botë. Kosova u radhit në mesin e shteteve me një numër të madh të të infektuarve dhe rasteve të vdekjeve. Ky virus nuk preku vetëm shëndetin e njerëzve, por edhe aktivitete të tjera që ndërlidhen me mbijetesën e tyre.

Gjendja kaotike e krijuar pa dyshim që kërkonte një zgjidhje, ku në rrethana të tilla Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi disa masa kundër COVID-19, në mënyrë që të shmangej një rritje e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve. Këto masa jo vetëm që krijuan një distancë sociale, por edhe distancë ekonomike.

Profesorë dhe ekspertë të njohur të ekonomisë pas shumë analizash të thukta dhe studimesh rreth këtij fenomeni në raportin mbi “COVID-19 dhe ndikimin në ekonomi”, bien dakord se “dhimbja ekonomike” do kalojë në katër faza: faza e parë përfshinë fazën ku fillon të ndryshojë jeta e qytetarit, sepse ndalon puna dhe jeta aktive si dhe qëndrimi pasiv në shtëpi shihet si më i favorshëm; faza e dytë përfshinë fazën ku njerëzit fillojnë tashmë të humbasin punën; faza e tretë përfshinë fazën ku fillon paniku, sepse rezultati i humbjes së punës nuk është diçka e mirë për të ardhmen; faza e katërt përfshinë heqjen dorë nga planet, strategjitë dhe investimet që kishin në mendje bizneset.

Kosova është një nga shtetet e cila po përballet me një ekonomi të dobët karshi pandemisë COVID, e cila ka theksuar më tepër këtë problematikë për shkak të masave që janë ndërmarrë për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes. Edhe Kosova ka punuar rreth zgjidhjes, apo përballimit të kësaj situate.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në këtë kohë krize, paraqiti strategjinë e  Rimëkëmbjes Ekonomike, e cila njëkohësisht do t’i përkrahte edhe bizneset. Kjo strategji u zhvillua nëpërmjet dy fazave të intervenimit fiskal në ekonomi: faza e parë, e cila do e bënte më të lehtë punën për biznese gjatë masave kufizuese; dhe faza e dytë ku qëllim është kthimi i ekonomisë në gjendjen e mëparshme përmes politikave fiskale dhe atyre monetare.

Pako e parë ishte “Pakoja Emergjente Fiskale” e cila u aprovua më 30 mars të vitit 2020, ku synimi i së cilës ishte orientimi drejt minimalizimit të dëmeve që kishte shkaktuar pandemia, sepse ishte e kuptueshme që të gjitha dëmet nuk mund të kompensoheshin me atë buxhet. Ky objektiv u mendua të arrihet nëpërmjet 15 masave të saj dhe gjithsej 190 milionë euro të cilat kishin 8 objektiva parësore.

Pakoja e dytë ishte “Pakoja e Rimbëkëmbjes Ekonomike”, e cila synonte që të arrinte një stabilizim në aktivitetin ekonomik, të mbështeste me kredi secilin biznes që përgjatë periudhës së pandemisë kishte hasur në rënie të aktivitetit ekonomik, të dizajnonte masa që do mundësojnë rritje të kapaciteteve prodhuese, rritje të eksporteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar, rritje të punësimit dhe formalizimit, përmirësim të strukturës së PBB-së e të ngjashme, e shumë të tjera që do mbushin hapësirat e lënë nga pakoja fillestare.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest, i përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), kjo përpjekje e Qeverisë me këto pako nuk ishte pritur mirë nga të gjithë, e sidomos nga sektori privat, për faktin se këto masa kishin më shumë karakter social se sa ekonomik. Pakot bënin një gjithëpërfshirje duke indinjuar një pjesë të bizneseve. Kërkesë nga komuniteti i bizneseve ishte që të kishin ndikim në diskutime të tilla me akterët shtetërorë mbi çështjet ekonomike.

Të prekura nga këto pako emergjente ishin edhe shumë biznese private nga qyteti i Pejës, biznese këto të mëdha të cilat gjenerojnë ekonominë e vendit, si dhe bizneset e vogla të cilat sado pak ndihmojnë që të zhvillohet ekonomia.

Rita Kelmendi-Lika, pjesë e stafit qendror të qendrës tregtare “Elkos”, tregon për KosovaLive se ato kanë qenë të mirëpritura edhe nga biznesi ku ajo punon. Ajo po ashtu tregon se pakot e tilla të caktuara nga Qeveria do ishte e pamundur të mos preknin biznesin ku ajo punon përderisa janë tatimpaguesit më të mëdhenj të shtetit. Në përgjithësi kishte krijuar një situatë të papritshme me indikatorë negative.

“Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare si pakoja emergjente fiskale dhe pakoja e rimëkëmbjes, kanë qenë pothuajse një ndihmesë për ato biznese të cilat kanë pasur një humbje të madhe, ashtu edhe për ne”, thotë Kelmendi-Lika.

Sipas saj, në mënyrë që puna të mos ndalojë dhe një pjesë e madhe e punëtorëve të mos mbesin të papunë, pronari dhe bashkëpunëtorët janë kujdesur që të ndërmarrin një strategji sa më të kujdesshme dhe racionale. Janë përdorur masat mbrojtëse të të gjitha formave, si dhe më e rëndësishmja gratë shtatzëna nuk kanë qenë të obliguara të dalin të punojnë fizikisht.

“Masat mbrojtëse që ka ndërmarrë biznesi ynë për stafin me qëllim të parandalimit të virusit COVID-19 janë të llojeve të ndryshme duke filluar nga përdorimi i maskave e deri tek lejimi i punës online nga gratë shtatzëna në mënyrë që të mos jenë të obliguara të punojnë fizikisht, si dhe orari ka qenë më i shkurtër për punonjësit e kategorive tjera”, shton ajo.

Profesori i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, Feim Brava, njëherit njohës i çështjeve ekonomike si dhe pronar i një biznesi privat, tregon se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë tek çdo biznes, e në përgjithësi edhe në ekonominë e shtetit. Duke qenë se ekonomia ka qenë e dobët, kjo pandemi veç se e ka ndihmuar që të dobësohet. Pos kësaj, ka pasur probleme në furnizim, pa pasur rënie në shitje dhe është vërejtur se njerëzit janë kursyer për të shpenzuar. I pyetur se si e sheh ai menaxhimin e organeve qendrore dhe atyre lokale ndaj sektorit të ekonomisë, ai shpjegon se është menaxhuar mirë, mirëpo ka pasur vend për përmirësime.

“Pakot kanë qenë super minimale në raport me humbjet. Nuk dihet se sa kanë arritur të përfitojnë bizneset të cilat realisht kanë pasur humbje”, potencon Brava.

Se këto pako kanë qenë minimale dhe nuk kanë arritur t’i “riparojnë” dëmet nga pandemia pohon edhe Zana Bogujevci, bashkë-pronare e “Tria Atelia”. Fillimisht ajo tregon se pandemia ka ndikuar jashtëmase tek biznesi i saj i vogël duke ardhur deri tek mbyllja e biznesit. Ajo dhe motra e saj vetëm sa e kishin filluar biznesin duke bërë dizajnimin e fustaneve dhe rregullimin e tyre, e që pandemia u bë shkaktare për ndërprerjen e aktiviteteve.

“Pakot në kohën e pandemisë për dikë mund të ishin një lloj ndihmese e madhe, por në anën tjetër nuk mundemi me i cilësua edhe aq për shkak se shifra e dhënë nuk ka qenë e mjaftueshme për dëmet e arritura gjatë pandemisë. Edhe ka shumë biznese të vogla të cilat nuk kanë arritur të marrin këtë pako, apo ndihmesë nga Qeveria, përfshirë këtu edhe ne”, tregon Bogujevci.

Në mënyrë që mos të ndërpritet puna ato qenë të detyruara të punojnë nga shtëpia, në mënyrë që mos të humbin klientët dhe të vazhdojnë punën me vullnet që të japin prapë rezultate sa më të mira.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tregon për KosovaLive se Qeveria e Kosovës në krahasim me qeveritë tjera në Ballkan ka shpërndarë më së paku të holla për bizneset private, në krahasim me dëmet që i’u ka shkaktuar pandemia. Ai shprehet se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mungesës së strategjisë dhe hartimit të shpejtë të atyre pakove të cilat kanë qenë për rimëkëmbjen ekonomike.

Sa i përket nivelit lokal, konkretisht me komunën e Pejës në fokus, organet komunale nuk kanë pasur shumë mundësi të ndikojnë e të ndihmojnë bizneset që kanë pasur humbje për shkak se buxheti ka qenë i limituar. Disa nga bizneset të cilat kanë pasur më shumë punëtor si “Elkos Group” dhe “Devolli” kanë përfituar dukshëm më shumë se bizneset e tjera.

“Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar ligje në mënyrë që t’i ndihmojë bizneset e prekura dhe atyre të shuara nga pandemia. Në përgjithësi bizneset private në Pejë kanë pritur më shumë, por kanë marrë dukshëm më pak”, shprehet Shahini.

Se pandemia preku shumë bizneset private në qytetin e Pejës dhe qytetet tjera të Kosovës, shihet edhe nga raporti i Bankës Qendrore të Kosovës, ku tregohet se për vitin 2020 ka një rënie të dallueshme ekonomike, e ku rritja ekonomike e vendit tonë dihet se vie nga biznet private, eksporti dhe aktivitete të tjera.

Ali Kastrati, tregtar dhe pronar i biznesit “Art Frut” në Pejë, tregon se përkundër të gjitha dëmeve që kishte shkaktuar pandemia, kishte ngritur edhe një vetëdijësim tek qytetarët. Meqenëse biznesi i tij merret me shitjen e pemëve dhe perimeve, ai kishte pasur ngritje të numrit të konsumatorëve dukshëm më shumë se sa në përditshmëri. Ai kishte vërejtur se qytetarët kishin filluar të mendonin më me kujdes për shëndetin e tyre, duke i dhënë prioritet ushqimit të shëndetshëm dhe bio, si dhe higjienës. Pos kësaj, ishte rritur edhe numri i atyre që kërkonin ekstrakt të pemëve dhe perimeve në mënyrë që t’i kultivonin vet, gjë e cila lë të kuptohet se kishin filluar të mendonin edhe më gjatë se sa e tashmja dhe ishin gati për një stil jetese më të mirë. Edhe pse nuk e sheh aspak si të mirë atë se çfarë solli pandemia, ai përsëri mendon se një gjë e tillë ka hapur rrugë për disa vese më të dobishme që qytetarët duhet të i kishin përvetësuar kohë më parë.

“Mendoj se kjo situatë, aspak e mirë, ka sjellë edhe disa benifite. Kur them benifite i referohem një rritjeje më të madhe të vetëdijësimit tek qytetarët, sepse e kam parë se sa është rritur numri i konsumatorëve tek biznesi im. Duket qartë se janë vetëdijësuar se çfarë do të thotë ushqimi i mirë”, tregon ai.

Kastrati pohon se ka qenë përfitues i pakove nga Qeveria, por përsëri jo të gjitha bizneset kanë përfituar aq së është dashur. Ka hapësira në të cilat Qeveria duhet të punojë më shumë dhe të ketë më shumë bashkëpunim mes përfaqësuesve dhe organizatave të ndryshme joqeveritare të cilat merren me bizneset private.

Krenare Lika

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM