Komuna e Prishtinës, organizoi ceremoninë e pranimit të donacionit nga EULEX për sektorin e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës.
Ceremonia e pranimit të donacionit u mbajt sot tek objekti i Komunës së Vjetër, ku i pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Shefi i Misionit të EULEX, Lars-Gunnar Wigemark bashkë me ekipin e tij.
Rama dhe shefi i Misionit të EULEX, Lars-Gunnar Wigemark nënshkruan marrëveshje për donacion.
Kryetari Rama, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për donacionin e dy veturave për sektorin e Mirëqenies Sociale, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Komuna e Prishtinës ka pranuar nga EULEX.
Nga kjo marrëveshje, Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës dhe dy shkolla, ShFMU “Shkëndija” dhe Shkolla Speciale “Qendra Burimore – Përparimi” kanë pranuar pajisje të teknologjisë informative dhe tri automjete.
Përveç kësaj, Rama dhe Wigemark u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve drejt adresimit të nevojave për barazi, mbështetje në sundim të ligjit, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, sport e kulturë deri në arritjen e transformimit të qytetit në të mirë të qytetarëve të Prishtinës, thuhet në komunikatën për media e Komunës së Prishtinës.