Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian i kanë parasysh demonstratat e planifikuara për sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes apo për dhunë.
Qytetarët kanë të drejtë për tubim në mënyrë paqësore si dhe përgjegjësi për të siguruar që tubimet e tilla janë paqësore dhe nuk kthehen në të dhunshme. Ndër të drejtat tona të përbashkëta demokratike janë edhe e drejta për tubim në mënyrë paqësore dhe që zëri ynë të dëgjohet, të drejta këto që organet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësi për t’i mbrojtur.
Organet e zbatimit të ligjit e kanë detyrim të ruajnë rendin publik dhe do të duhej ta bëjnë këtë pa shkelur parimet demokratike të lirisë së shprehjes dhe të tubimit.
Quint-i dhe BE-ja gjithashtu i përsërisin thirrjet e tyre Kosovës dhe Serbisë për të vepruar në mënyrë të matur dhe të përmbahen nga çfarëdo retorikë apo veprim që do të mund të ngritë tensionet, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.