Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha.
Presidentja Osmani falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar. Veç kësaj, ajo e informoi Emirin për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.
Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera presidentja.
Presidentja Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.