Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Mimi Kodheli, kryetare e komisionit.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërtuar në shumë fusha, veçanërisht në rrafshin parlamentar, por gjithashtu u shtrua nevoja e shfrytëzimit të hapësirave për të thelluar më tej këto marrëdhënie.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të parlamenteve respektive kontribuojnë në këmbimin e përvojave dhe avancojnë më tej bashkëpunimin ndërparlamentar.
“Vendet dhe parlamentet tona janë vëllazërore, andaj përballë sfidave rajonale dhe globale duhet të jemi sa më afër njëri-tjetrit. Këto vizita dëshmojnë intensifikimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit falënderoi Kodheli për afirmimin e kërkesave të Kosovës nga ana e Shqipërisë, brenda strukturave të NATO-s.
Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetarja e delegacionit nga Kuvendi i Shqipërisë, Mimi Kodheli, vlerësoi lart frytet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Tiranës zyrtare për Kosovën në të gjitha sferat.
Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria janë pjesë të të njëjtit komb dhe se është kënaqësi e veçantë vizita në Prishtinë.
Kodheli foli gjithashtu për takimet e qeverive të të dyja vendeve dhe për marrëveshjet e arritura, për të cilat tha se kanë nevojë për mbështetjen e parlamenteve.
Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë, si dhe u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të mëtejmë të të dyja vendeve, në të gjitha fushat, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.