Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti falënderon senatorët për kontributin, angazhimin e tyre për çlirimin, demokratizimin, zhvillimin e Kosovës

Pri 21, 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim senatorët e Senatit të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët arritën sot për vizitë në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka falënderuar senatorët për rolin, kontributin, angazhimin e tyre për çlirimin, demokratizimin, zhvillimin e Kosovës dhe për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe për kontributin e pakursyer për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Ai i falënderoi tre senatorët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për çështjet e Kosovës dhe i njoftoi me progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare.

Kryeministri Kurti u shpreh krenar për rezultatet dhe të arriturat gjatë kësaj periudhe: rritjen e buxhetit shtetëror në 2.9 miliardë euro, që është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova, rritjen për 10 për qind të investimeve kapitale, rritjen e investimeve në agrokulturë, dhe rritjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Synimi ynë mbetet integrimi në Bashkimin Evropian e sidomos përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, tha kryeministri Kurti.

Lidhur me politikën e jashtme ai veçoi angazhimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërsa duke folur për një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë ai ritheksoi se marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Senatorja Shaheen tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për atë që ndodhë në dhe rreth Kosovës, dhe se do të vazhdojnë të mbështesin aspiratat për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Tre senatorët falënderuan qeverinë dhe popullin e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë, duke e vlerësuar si një veprim shumë të çmuar që ka forcuar edhe më tej miqësinë dhe raportet e mira mes të dy vendeve.

Kryeministri Kurti tha se ndihma e ofruar për refugjatët afganë përtej humanitares është edhe shprehje falënderimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mikun dhe partnerin e pazëvendësueshëm të Republikës së Kosovës.

Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri dhe senatorët theksuan rrezikun që mund të paraqes për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i njoftoi senatorët për mikpritjen tashmë të një gazetare ukrainase dhe për gazetarët e tjerë që pritet të vijnë në Kosovë, për të vazhduar të lirë angazhimin e tyre në profesion.

Ai theksoi rreshtimin e Kosovës krahas vendeve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërinë për të strehuar 5000 refugjatë nga Ukraina, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

 

Fillimisht, dëshiroj të falënderoj senatorët Shaheen, Murphy dhe Tillis për vizitën e tyre në Republikën e Kosovës. I falënderoj për rolin, kontributin, angazhimin e tyre për çlirimin, demokratizimin, zhvillimin e Kosovës dhe për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

 

Në takimin tonë të përbashkët, kam theksuar se kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani, që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë bashkë kundër luftës agresore dhe ilegale të Rusisë në Ukrainë. Me këtë rast edhe njëherë e ritheksojmë solidaritetin dhe admirimin tonë për popullin e Ukrainës, lidershipin politik të tij, dhe qëndrueshmërinë e luftën çlirimtare që po bëjnë.

 

Në këtë kontekst, Kosova ka mbajtur qëndrimin e njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ndërkaq në anën tjetër kemi autokracitë të cilët mund të jenë të ndara nga populli i tyre, por po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

 

Në veçanti i njoftova senatorët për sukseset e shtetit të Kosovës, për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar aq shumë si në luftë ashtu edhe në paqe, si para shpalljes së pavarësisë po ashtu edhe pas saj.

 

Kosova është një rrëfim i suksesit, i rezistencës së popullit të saj dhe luftës çlirimtare, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, Bashkimin Evropian, në veçanti me ndërhyrjen e para 23 viteve, kur u ndal gjenocidi i Serbisë mbi popullin tonë.

 

Sot Kosova është krenare me të arriturat e saj. Rritja ekonomike në vitin e kaluar ka qenë 10.53 për qind të bruto produktit vendor, investimet e huaja direkte janë shtuar për 22 për qind, eksportet janë rritur për 83 për qind, buxheti i shtetit krahasuar me dy vite më parë për 26 për qind, të hyrat tatimore janë rritur për 34 për qind pa e ndryshuar politikën fiskale. Dhe gjithashtu Kosova ka shënuar përparim në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për çfarë jemi ngritur për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe gjithashtu jemi të 60-tit në glob e të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

 

Ky takim me këta tre senatorë vjen pas takimit virtual që kemi pasur më 22 mars, me kongresistët Ritchie Torres, Darrel Issa dhe Robert Aderholt. Edhe në atë takim patëm kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për çfarë është e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe drejt anëtarësimit të plotë.

 

Gjithashtu, nuk kemi harruar që ta theksojmë rëndësinë e rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit edhe sa i përket ekonomisë, edhe mbrojtjes e të sigurisë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Unë i falënderoj edhe njëherë nga zemra tre senatorët për Shtetet e Bashkuara të Amerikës krejt çfarë kanë bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, por gjithashtu edhe për kontributin e tyre personal për paqe, demokraci dhe drejtësi. Faleminderit!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM