Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim shefin e Mbrojtjes të Republikës Letonisë, gjenerallejtënant Leonīds Kalnins.
Gjatë këtij takimi, Gjeneral Jashari i shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë të kontingjentit të forcave letoneze në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës që nga viti 2000, si dhe ritheksoi aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në NATO dhe drejtimin strategjik ushtarak të Kosovës.
Gjithashtu, dy gjeneralët diskutuan për situatën në Ukrainë dhe ndikimin e Rusisë në rajonin e Baltikut dhe atë të Ballkanit, ku gjatë kësaj periudhe të ndjeshme, u vlerësua nevoja për mbështetje të ndërsjellët mes dy vendeve.
Dy gjeneralët u zotuan për ngritjen e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve duke përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta si dhe shkëmbimin e përvojave.
Në fund, Gjeneral Kalnins e ftoi Gjeneral Jasharin për vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.