Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot me nderimet më të larta shtetërore në vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Letonisë, Egils Levits.
Pas takimit dypalësh, dy presidentët, në oborrin e Presidencës kanë mbjellur drurin e miqësisë për t’i ruajtur dhe kultivuar mëtej marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore.
Në konferencën e përbashkët për media, Presidentja Osmani përmendi nderin e veçantë për Kosovën që ta mirëpresë për herë të parë Presidentin Levits, njëkohësisht vizita e parë e kreut të shtetit letonez në shtetin tonë.
“Me Presidentin Levits kishim diskutime shumë përmbajtësore dhe produktive. Shpreha dëshirën tonë të fortë për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes por edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, digjitalizimit dhe në fusha të tjera në dobi të dy popujve tanë” ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani theksoi se kjo vizitë përkon me një periudhë të trishtë për Evropën, ku Ukraina po ballafaqohet me një luftë të tmerrshme të nisur nga Rusia.
“Republika e Kosovës mbështetë plotësisht pavarësinë dhe shtetësinë e Ukrainës, gjë që është reflektuar edhe në vendimet e marra nga institucionet tona, të bashkërenditura me ato të Bashkimit Evropian”, ka thënë presidentja Osmani, duke shtuar se dy vendet do të vazhdojnë të kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në kontinentin tonë.
Ndërkaq Presidenti Levits ritheksoi mbështetjen e plotë të Republikës së Letonisë për integrimin e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe NATO, dhe njëkohësisht mirëpret anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, thuhet në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentes.