Build Skills with our trainings

Sign up now!

Republika Çeke merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian

Kor 1, 2022

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Çeke në Kosovë, Pavel Bílek dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog organizuan në Prishtinë ceremoninë e hapjes së Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë së cilës u prezantuan prioritetet e Presidencës Çeke për gjashtë muajt e ardhshëm.

Motoja e Presidencës Çeke është “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, e marrë nga titulli i fjalimit të Presidentit Václav Havel nga viti 1996, fjalim ky ku ai u bëri thirrje evropianëve që të marrin përgjegjësi për sfidat globale mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe të udhëheqin përmes shembullit.

“Republika Çeke po e merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të pushtimit rus kundër Ukrainës që ka kapluar tërësisht situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Kjo na bën të rivlerësojmë shumë prej qasjeve dhe premisave tona aktuale”, tha Bílek.

Objektivi i përgjithshëm i Presidencës Çeke është të kontribuojë në krijimin e kushteve për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në kuadër të vlerave evropiane të lirisë, drejtësisë shoqërore, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë mjedisore. BE-ja duhet të përqendrohet në garantimin e sigurisë së bashku me NATO-n dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të mënyrës së lirë të jetës dhe demokracisë liberale së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e tjera demokratike jashtë BE-së.

Pesë prioritetet e përgjithshme të Presidencës Çeke përfshijnë menaxhimin e krizës së refugjatëve ukrainas dhe rimëkëmbjen e pasluftës, sigurinë energjetike, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurinë kibernetike të Evropës, qëndrueshmërinë strategjike të ekonomisë evropiane, dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike.

Ballkani Perëndimor është ndër zonat prioritare të Presidencës Çeke, së bashku me Ukrainën, Indo-Paqësorin dhe Sahelin. Presidenca Çeke do të përpiqet të arrijë progres konkret në negociatat e zgjerimit të BE-së dhe të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shumica e prioriteteve të Presidencës Çeke përkthehen në aktivitete konkrete të BE-së në Kosovë, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës jetike, investimin në burimet e energjisë së gjelbër dhe të ripërtëritshme dhe në mënyra ekologjike të transportit, mbështetjen e digjitalizimit të mëtejshëm dhe sigurisë kibernetike, si dhe kontributin në zhvillim ekonomik, konkurrueshmëri dhe qasje në tregun e BE-së”, tha ambasadori Szunyog.

Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë dy organet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Këshilli përbëhet nga ministrat e qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së, të cilët takohen në dhjetë konfigurime të ndryshme për të negociuar, ndryshuar dhe miratuar ligjet e BE-së, për të bashkërenduar politikat e BE-së dhe për të lidhur marrëveshje ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM