Build Skills with our trainings

Sign up now!

Milena Beranova, vajza serbe që studion gjuhën shqipe në Beograd

Kor 18, 2015

Edhe pse mund të duket e çuditshme, Milena Beranova vazhdon të luftojë paragjykimet serbe për shqiptarët, duke qenë një nga 15 studentët që studiojnë gjuhën shqipe, në Universitetin e Beogradit.

Fakulteti Filologjik, në të cilin studion Milena, ka ofruar degën e gjuhës shqipe për më shumë se njëqind vjet, duke u bërë katedra më e vjetër për studimin e gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Por, shumica e serbëve, që jetojnë në Beograd nuk e dinë se ekziston ky departament dhe çuditen kur dëgjojnë se dikush po studion këtë gjuhë.

“Ata pyesin se cili i çmendur do ta studioj atë gjuhë? E po pra, unë do ta studioja,” tha Milena Beranova, studente e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit.

Milena tani sapo ka mbaruar vitin e parë të studimeve, ku ajo mbajti ligjërata nga profesorë shqiptarë, shumica e të cilëve janë nga Kosova, e disa nga Shqipëria.

Një pjesë e lëndëve që studiohen në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit janë gramatika dhe shqiptimi i fjalëve, historia e gjuhës shqipe dhe biografi të albanologëve.

“Unë jam e çmendur pas gjuhëve, i dua të gjitha gjuhët e botës dhe mendoj se nuk ka gjuhë të shëmtuar. Gjuha shqipe ka gjithçka që kam dashur: një sfidë, entuziazëm dhe në rastin tim e thyen murin e urrejtjes. Unë jam serbe dhe jam duke studiuar gjuhën shqipe. A s’është fantastike kjo?! E adhuroj fytyrën e një shqiptari, kur unë them vetëm një fjali të thjeshtë në shqip  “Unë jam serbe dhe studioj gjuhën shqipe, duket sikur zemrat e tyre shkrihen”, u shpreh ajo.

Edhe pse Milena e do shumë gjuhën shqipe dhe thotë se familja e saj krenohet me të dhe e përkrahin 100% për zgjedhjen e saj, ajo shpeshherë ballafaqohet me paragjykime dhe urrejtje nga njerëz të ndryshëm. Por, Milena thotë se i pëlqen kjo gjë, sepse dallohet nga tjerët.

“Është normale, pasi jam një serbe që studion gjuhën shqipe dhe ndoshta kur të më njohin mua, të tjerët do të mendojnë dy herë për idetë e tyre nacionaliste dhe raciste që u janë ngulitur në mendje. Më pëlqen ta ndryshoj mendimin e tyre në lidhje me popullin shqiptar dhe në njëfarë mënyre të kem ndikim tek ata”, tha Milena.

Dëshira e Milenës është të jetë profesoreshë e gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit apo në Kosovë. Gjithashtu, ajo mendon të merret me përkthimin e librave, sepse nevoja për libra të perkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën serbe është shumë e madhe.

Këngëtarët e preferuar të Milenës janë Era Istrefi me këngën e saj “E dehun” dhe Alban Skenderaj.

Ajo ka shumë dëshirë të lexojë në gjuhën shqipe, por për shkak të vështirësisë së gjuhës Milena thotë se ajo mund të lexojë dhe të kuptojë vetëm librin “Tre Derrkucët”.

Ndërsa në të ardhmen i ka vënë vetes detyrë të lexojë “Mesharin”, e Gjon Buzukut.

/Vesa Prapashtica  “Vajzë dëgjohu”/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM