Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ministrin e Jashtëm të Republikës së Çekisë, Jan Lipavský.
Kjo është vizita e parë zyrtare e ministrit Lipavský në Republikën e Kosovës. Në fillim të takimit u përmend mirënjohja për Republikën e Çekisë, si një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Palët diskutuan mbi rëndësinë e unitetit, një Evrope të bashkuar në tejkalimin e sfidave të përbashkëta që prekin sigurinë, energjinë dhe efektet e shkaktuara nga agresioni i pajustifikuar rus në Ukrainë. U shpreh mirënjohja ndaj Kosovës për bashkërendimin e politikës së jashtme në lidhje me agresionin rus në Ukrainë dhe pozicionimin e qartë.
Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi mbështetjen e riafirmuar të Republikës së Çekisë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe më tej foli mbi agjendën evropiane të Kosovës, veçanërisht nevojën për liberalizimin e vizave dhe e informoi atë mbi objektivin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti. Sa i përket liberalizimit të vizave u tha se ky është një hap drejt proceseve integruese dhe është prioritet i Presidencës Çeke ta shtyjë këtë proces.
Përtej vështirësive dhe sfidave, Kosova ka shënuar një rritje ekonomike të rëndësishme prej 10.7% gjatë vitit të kaluar, progres në implementimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane, në demokratizimin, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu rangimi pozitiv i Kosovës në Transparency International, Indeksin Botëror të Drejtësisë, Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit dhe V-Dem, është tregues i historisë tonë të re, të një demokracie të konsoliduar.
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Bislimi theksoi se Kosova angazhohet maksimalisht në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në dialogun me Serbinë është palë aktive dhe konstruktive, e përkushtuar në arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.
Në përfundim të takimit, u përforcua thirrja e përbashkët për thellim të marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ekonomik dhe tejkalimit të sfidave të përbashkëta si kriza e energjisë dhe inflacioni, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.