Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas lajmit për vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj në Prishtinë, ku ky lajm i rëndë e ka trondit Kosovën dhe erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
Nagavci në postimin e saj në Facebook ka thënë se këtë rast e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj.
Vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë, prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin.
Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurtë vetëm si të barabartë dhe pa dhunë.





