Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë që nga 26 Nëntori kanë organizuar javën festive, me evente që janë shtrirë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë sonte me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura – Së bashku për Paqen”, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se në këtë event, bendi ynë muzikor ushtarak do të performojë përkrah mbi 300 artistëve nga Orkestra Simfonike e FA, Kori i FA, Orkestra Frymore e FA (OFFA) dhe bendet ushtarake të vendeve të NATO nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.
Të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.
I lumtë artistëve tanë ushtarakë për përfaqësimin dinjitoz të Republikës dhe Ushtrisë sonë!
Së bashku me vëllezërit dhe aleatët tanë në mbështetje të Ukrainës!