Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sektori në Gjilan(DHKEK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas veprimeve hetimore, ka arrestuar të dyshuarin F.V., (1969), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘kontrabandim me mallra’.
I dyshuari në periudhën kohore 2019-2020, dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitetin e kontrabandimit të mallrave, konkretisht transportimin ilegal të gjedheve nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës, nëpërmjet brezit kufitar (zona e Karaçevës), duke vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi.
I dyshuari, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës është intervistuar në NJHRKEK në Gjilan, në cilësinë e të dyshuarit, ku ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohej.
Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.