Build Skills with our trainings

Sign up now!

Bislimi: Mesazhi i Kosovës është i zëshëm dhe i qartë, Evropa është e tashmja dhe e ardhmja jonë

Shk 28, 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në diskutimin me eurodeputet në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në Bruksel. Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Kosova ka bërë përparim domethënës vitet e fundit dhe ka treguar se është një partner i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të BE-së. Ai shprehu objektivin e qartë por edhe sfidues të marrjes së statusit të vendit kandidatit deri në fund të këtij viti.

‘’Ne po e shfrytëzojmë këtë mundësi për të demonstruar se jemi gati të zëmë vendin tonë në komunitetin evropian. Dhe kjo është ajo që arritjet dhe sukseset tona në dy vitet e fundit e tregojnë për miqtë dhe aleatët tanë: se Kosova është një partner i besueshëm, i gatshëm të bëjë hapa të mëtejshëm për të intensifikuar përpjekjet e saj për t’iu afruar BE-së.’’

Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se ne jemi të aftë të bëjmë progres, pavarësisht sfidave dhe pengesave, përkushtimi ynë mbetet i njëjtë. Ecja jonë, nuk do të ndalet. Mesazhi i Kosovës është i zëshëm dhe i qartë: Evropa është e tashmja dhe e ardhmja jonë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Faleminderit për mundësinë e këtij shkëmbimi mendimesh për integrimin e Kosovës në BE, një temë shumë e rëndësishme për vendin tim. Është gjithmonë një nder dhe kënaqësi e madhe të vij këtu dhe të diskutoj me parlamentarët. Parlamenti Evropian është shtyllë e demokracisë, si dhe e fatit tonë të përbashkët. Ky mirëkuptim është reflektuar në vendimmarrjen tuaj kolektive, ku gjithmonë keni gjetur konsensus për të ardhmen e Republikës së Kosovës, qoftë për perspektivën e anëtarësimit, nënshkrimin e MSA-së, liberalizimin e vizave dhe tani aplikimin tonë për anëtarësim në BE.

 

Të dashur miq, më lejoni të filloj duke kujtuar se javën e kaluar shënuam një vit të plotë nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Dëshiroj të kujtoj me dhimbje të gjitha viktimat civile, të kujtoj me shumë respekt të gjithë dëshmorët ukrainas që ranë duke mbrojtur atdheun e tyre. Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, por Kosova e njeh shumë mirë dhimbjen dhe plagët e Ukrainës, pasi është përballur me një mizori shumë të ngjashme në historinë jo të largët. Ndërsa ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Ukrainën dhe konfirmojmë me qëndrimin solid dhe përafrimin tonë me BE-në, unë vazhdimisht bëj thirrje për liri për Ukrainën dhe shpreh solidaritetin nga Kosova.

 

Kjo luftë hapi sytë për shumë prej nesh dhe na bëri të kuptojmë rëndësinë e lirisë dhe unitetit. Ekziston një ndjenjë e fortë e qëllimit të përbashkët midis anëtarëve të Bashkimit Evropian për të parë më qartë kërcënimin e përbashkët. Edhe një herë ne të gjithë e kuptuam se sa me rëndësi është demokracia për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit dhe sa e rëndësishme është mbrojtja e Evropës dhe Bashkimit Evropian si projekti më i suksesshëm i paqes në Evropë.

 

Të nderuar deputetë, vendi im ka bërë përparim domethënës vitet e fundit, por ne duhet të jemi të papërkulur në përpjekjet tona për të treguar se jemi një partner i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të BE-së. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për të kapërcyer rrugën e vështirë të reformave thelbësore dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

 

Të dashur miq, më lejoni të ju kujtoj të gjithëve se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka aplikuar për anëtarësim. Duke qenë se jemi njohur si kandidat i mundshëm shumë kohë më parë, së bashku me gjashtë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, më në fund ecëm përpara për ta kthyer statusin tonë të mundshëm në status zyrtar kandidat.

 

Ju lutem më lejoni të paraqes shkurtimisht disa pika kyçe, të cilat më duken të rëndësishme në dritën e progresit tonë në rrugën drejt BE-së.

 

Para së gjithash, vendimi ynë për të aplikuar për anëtarësim në BE iu përgjigj thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve tanë të cilët besojnë thellë se e ardhmja e tyre është brenda Bashkimit Evropian. Si një qeveri demokratike që qeveris me pëlqimin e tyre, ky aplikim i përgjigjet thirrjes së tyre.

 

Së dyti, aplikimi ynë nderon dhe kërkon të sjellë në jetë premtimin e BE-së të bërë gati 20 vjet më parë në Selanik, por edhe të përforcuar së fundmi në Samitin e Tiranës, ku BE bëri thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

 

Së treti, ne besojmë fuqimisht se ka ardhur koha. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova është vendi më demokratik dhe çdo ditë njihet kështu edhe nga indekset dhe renditjet e njohura ndërkombëtare.

 

Objektivi ynë është i qartë: ne kërkojmë të marrim statusin e vendit kandidatit deri në fund të këtij viti. Ky mund të shihet si një objektiv sfidues, por ne jemi plotësisht të angazhuar për ta arritur. Është thelbësore për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më e rëndësishmja për stabilitetin dhe sigurinë tonë.

 

Të nderuar deputetë, në gati dy vite të qeverisjes sonë, ne kemi treguar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe kemi zbatuar me efikasitet reformat në drejtësi dhe administratën publike. Kjo u konfirmua në vlerësimet e rregullta të raporteve ndërkombëtare si indeksi i Transparency International ose Raporti për Vendin i Komisionit të BE-së.

 

Në një mjedis, ku një numër i konsiderueshëm i demokracive në kontinentin tonë pësuan ulje të nivelit të demokracisë në pesë vitet e fundit, Kosova është vendi më demokratik në rajon i njohur kështu nga indekset e njohura ndërkombëtarisht në Sundimin e Ligjit, Qeverisjen e Mirë, Demokratizimin, Anti -Korrupsioni dhe liria e medias. Kemi përjetuar përparim të dukshëm në dy vitet e fundit. Duke përmirësuar renditjen tonë me 20 vende në Transparency International dhe 17 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Ne u renditëm të parët për herë të dytë në sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor nga World Justice Project dhe të dytit në nivel global për përmirësimin në vitin e kaluar.

 

Cilësia jonë e lartë e demokracisë dhe stabilitetit politik u shndërrua në një dividend makroekonomik me indikatorë të jashtëzakonshëm ekonomikë, socialë dhe të mirëqenies. Rritja jonë ekonomike ishte dyshifrore, prej 10.7% në vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 rritja ekonomike vazhdoi, me një rritje të prej rreth 4%. Këtë vit kemi pasur një rritje prej 17% të të hyrave buxhetore në krahasim me vitin e kaluar. Eksportet u rritën me 23%, të ardhurat nga taksat me 22%, të ardhurat doganore me 11% dhe investimet e huaja direkte me 47%.

 

Ne kemi realizuar shumë reforma të vonuara, të cilat janë rekomanduar në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012. Viti i kaluar ishte gjithashtu shumë i suksesshëm në aspektin e agjendës evropiane ku MSA-ja dhe Agjenda e Reformës Evropiane, tashmë në gjysmë të rrugëtimit, janë zbatuar me normë 60%.

 

Ne po e shfrytëzojmë këtë mundësi për të demonstruar se jemi gati të zëmë vendin tonë në komunitetin evropian. Dhe kjo është ajo që arritjet dhe sukseset tona në dy vitet e fundit e tregojnë për miqtë dhe aleatët tanë: se Kosova është një partner i besueshëm, i gatshëm të bëjë hapa të mëtejshëm për të intensifikuar përpjekjet e saj për t’iu afruar BE-së.

 

Kosova është shembull dhe standard i ri në Ballkanin Perëndimor. Dhe rajoni bën thirrje gjithashtu për veprime të guximshme si nga BE ashtu edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar angazhimin dhe marrëdhëniet që do të përshpejtonin reformat e përbashkëta dhe do të drejtonin pozitivisht trajektoren e zhvillimit dhe rrugën drejt familjes evropiane.

 

Kosova është gjithashtu vendi i dytë që ratifikon tri marrëveshjet nga Procesi i Berlinit të nënshkruara nëntorin e kaluar, ndërsa me 2/3 e votave bëhet vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend. Ne kemi dëshmuar se vendi ynë qëndron për bashkëpunim të begatë rajonal dhe për progres në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe presim që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i miratojnë ato.

 

Përkushtimin, gatishmërinë dhe konstruktivitetin tonë e kemi treguar edhe në kuadër të procesit të dialogut, ku u dakorduam për propozimin e BE-së dhe së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin e tij. Ne besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohje reciproke në qendër të marrëveshjeve dhe gjithashtu respektim të të drejtave të pakicave, në të dy vendet.

 

Siguria dhe paqja në rajon dhe në mbarë Evropën, është domosdoshmëri. Çdo përmirësim, çdo hap drejt zhvillimit dhe përputhshmërisë më të madhe me politikat evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë, na afron më shumë me këtë objektiv të rëndësishëm për ne.

 

Ne jemi të aftë të bëjmë progres, pavarësisht sfidave dhe pengesave, përkushtimi ynë mbetet i njëjtë. Ecja jonë, nuk do të ndalet. Mesazhi i Kosovës është i zëshëm dhe i qartë: Evropa është e tashmja dhe e ardhmja jonë.

 

Zëri ynë duhet të dëgjohet dhe të përqafohet brenda familjes evropiane. Sepse si miku i dashur i të gjithëve ne, David Sassoli tha: “Evropa ka ende shumë për të thënë, nëse ne – dhe ju – do ta themi së bashku”.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM