Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka realizuar një vizitë në strehimoren “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve në Kosovë”, për t’u njohur me kushtet e punës dhe shërbimet të cilat i ofron kjo shtëpi-strehimore.
Gjatë takimit me drejtoren e kësaj Qendre ministrja Haxhiu premtoi përkushtim maksimal institucional për të siguruar infrastrukturë ligjore të nevojshme për financim të qëndrueshëm të institucioneve të tilla të cilat ofrojnë strehim, mbrojtje dhe shërbime për fëmijët me nevoja sociale.
Ministrja Haxhiu tha se ne do të përkushtohemi maksimalisht të sigurojmë që fëmijët e kësaj Qendre dhe institucioneve te tjera sociale të kenë shërbimet e nevojshme dhe të domosdoshme gjatë qëndrimit të tyre në këto institucione.
Drejtoresha e kësaj Qendre, Valbona Çitaku, falënderoi Ministren për vizitën dhe përkushtimin saj në reformën e shërbimeve sociale në përgjithësi dhe në veçanti në kujdesin e treguar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
Kësaj Qendre, ministrja Haxhiu ua dhuroi një makinë qepëse e cila do t’i shërbejë për nevojat e tyre të brendshme.
Nga një makinë e tillë do të shpërndahet në të gjitha strehimoret, thuhet në postimin në Facebook të MD-së.






