Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të mbajë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së BE-së Në Kosovë.




