Ministria e Arsimit njofton se Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar 10 vjetorin e themelimit, ku në ceremoninë solemne të këtij përvjetori jubilar zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna ka thënë se, është gjithmonë nderë të jetë pjesë e këtyre ngjarjeve për të shënuar së bashku të arriturat e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.
Maloku Bërdyna ka theksuar se, Universiteti “Kadri Zeka” është Universitet i ri, por me potencial të madh, ndërsa në fjalën e saj të rastit theksin e ka vënë te politikat arsimore të Qeverisë për implementimin e standardeve evropiane të cilësisë dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në IAL, heqjen e tarifave për studentë, rritjen e pjesëmarrjes në programet ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik dhe shkencor dhe integrimit në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Në manifestimin e shënimit të 10 vjetorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, të pranishëm ishin edhe personalitete politike, akademike, rektorë, prorektorë, profesorë dhe studentë, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.






