Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se sipas planifikimeve me planin operacional, në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, për në të gjitha qendrat e votimit.
“Sipas informacioneve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna, janë hapur në kohë të gjitha qendrat e votimit. Gjithsej janë 19 qendra votimi, prej të cilave 6 janë të rregullta dhe 13 alternative, ndërsa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 45,095 votues”, tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, thuhet në faqen zyrtare të KQZ-së.