Për 1 Majin- Ditën e punëtorëve, Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës.
Aktivistët e PSD-së kanë vendosur para Qeverisë një ulëse, një çadër, pije dhe një pankartë me mbishkrimin “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”.
PSD kanë reaguar ndaj kryeministrit Kurti duke thënë se ai gjendet në pushim jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë. Për këtë arsye ata sot e kanë ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Ajo është pushim, qejf e rahati.
Ndërkohë që kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj, pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar.
PSD thanë se kryeministri kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato, paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit e inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave, tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat, thuhet në postimin në Facebook të PSD-së.
Ishte Viva la Revolución, u bë Viva la Vida!
Një punëtore që e mirëmbanë zyren e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj. Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata.
Punëtori i Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor e nuk është i siguruar nga rreziqet që sjellë tregu. Aksidenti në punë apo edhe një sëmundje si kanceri ia rrezikon atij dhe familjes së tij ekzistencën. Përditshmëria e tij është ankthi i humbjes së punës dhe zhytjes në varfëri.
Punëtori i Kosovës nuk po ia del me këto kushte të punës. Dhjetra mijëra u larguan në dy vitet e fundit. Të tjerët do të vazhdojnë të neglizhohen nëse nuk organizohen. Kjo qeveri e ka dëshmu që është në gjatësi valore veç me të pasurit, veç me oligarkët. Andaj, ne jemi të bindur që klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet nëse nuk organizohet në rezistencë.
Nëse pronarët nuk e ulin fitimin kur rritet inflacioni; Nëse qeveria nuk e rritë presionin tek pronari, neve na mbetet ta rrisim solidaritetin e rezistencën. Pa rezistencë këta do ta kenë pushim 365 ditë në vit.
Një punë e dinjitetshme kërkon një sërë të drejtash që do të ishin bazë për të ardhmen dhe sigurinë e çdo punëtori. Një punë e dinjitetshme nuk reduktohet me transaksionin e lëmoshës që mirret në formë page. Një jetë e dinjitetshme do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, nëse Kryeministri nuk do të pushonte 365 ditë.