Lumbardhi prezanton performancën muzikore “Bërbili – Këngë të harruara të arbanasve të Zarës” nga muzikantet Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq, teksa rizbulojnë, modifikojnë dhe ringjallin meloditë gati të harruara të Arbanasve. Ngjarja do të zhvillohet më 29 korrik me fillim nga ora 20:00 në Kino Bahçe.
Nëpërmjet ndikimeve të tyre unike dhe përvojave personale, Dina dhe Melita u japin jetë këtyre këngëve të lashta, të kënduara në dialektin e rrezikuar arbanas, një përzierje magjepsëse e shqipes, italishtes dhe kroatishtes. Albumi, i miksuar me përpikëri nga specialisti i njohur i zërit Jan-Eric Persson, kap thelbin e Ballkanit, sharmin melodioz të këngës italiane dhe tingujt ritmik të melodive tradicionale.
Dina Bušić, një muzikante e trajnuar klasike nga Zara e Kroacisë, sjell butësinë e saj lirike dhe tonet mesdhetare në plan të parë. Me një pasion të thellë për të kënduar dhe një aftësi për të eksploruar thesare muzikore të harruara, ekspertiza e Dinës shkëlqen përmes punës së saj në monografi muzikore dhe edicionet e festivaleve.
Melita Ivković, një kitariste e gjithanshme nga Zara e Kroacisë, bashkon trajnimin klasik me ndikimet e zhanreve të ndryshme. Kompozimet dhe aranzhimet e saj përziejnë bukur harmoninë klasike me elementë të gjallë tradicionalë. Në projektin Bërbili, Melita tregon shkathtësinë dhe krijimtarinë e saj teksa bashkëpunon me kolegë muzikantë për të ringjallur këngët e harruara të Arbanasve të Zarës.
Ky koncert mundësohet me mbështetjen bujare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prizrenit, thuhet në komunikatën për media e Fondacionit Lumbardhi.