Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot telegram ngushëllimi familjes Mulliqi, me rastin e ndarjes nga jeta të familjarit të tyre, Prof. Dr. Haqif Mulliqi.
Kryeministri Kurti ka thënë se Prof. Dr. Mulliqi do të mbahet mend si një njeri që përveç si profesor, dëshmoi atdhedashurinë në të gjitha format e saj, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
E nderuara familje Mulliqi,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Prof. Dr. Haqif Mulliqi.
Ai shkroi shumë drama e tekste tjera artistike, kritika për teatrin, dramën e filmin, të gjitha kontribute të tij me numra të lartë sepse angazhimi i ishte i pandalshëm. Ai e ndërtoi veten vazhdimisht duke ndërtuar dhe mirëmbajtur rubrika të reja në gazetari. Ai i studioi klasikët, e njohu mirë karakterin e tyre e krahas kësaj edhe qytetarët të cilët i takoi nëpër skenat e shumta të gati çdo qyteti shqiptar. E deshi lirinë, dijen dhe artin. Këto dashuri e ngrenë lartë si qenie të angazhuar, për të cilat sot e nderojmë dhe kujdesemi që të kujtohet. Megjithëse u nda herët nga të dashurit dhe lexuesit e tij, jeta e tij artistike ishte e gjatë prandaj do ta lexojmë e kujtojmë gjatë.
Prof. Dr. Mulliqi përveç kontributit në fushën e kulturës, u bë i njohur edhe si reporter i luftës, ku dha një kontribut të çmuar në prezantimin dhe mbulimin e ngjarjeve gjatë periudhës së luftës. Për këtë, ai do të mbahet mend si një njeri që përveç si profesor, dëshmoi atdhedashurinë në të gjitha format e saj.
Trashëgimia në art, gazetari dhe universitet që Prof. Dr. Mulliqi la pas vetes do të jetë një shembull i mirë për gjeneratat e reja.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, komunitetin artistik dhe atë të gazetarëve.
I përhershëm qoftë kujtimi për të!