Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se Kroacia sot shënon Ditën e Fitores, si ngjarje e veçantë përkujtuese e luftës çliruese kundër politikave shoviniste, pushtuese të Sllobodan Millosheviqit në territorin kroat.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se Operacioni “Stuhia” që sot shënon 28 vjetorin ishte një pikë kthese në arritjen e paqes dhe stabilitetit të Evropës Juglindore, ngase përmes organizimit ushtarak e politik u arritë të ndalej ideja e Sebisë së Madhe, e t’u rikthehej liria popullit kroat.
250 mijë kroatët e dëbuar nga forcat serbe me përfundimin e luftës u rikthyen në shtëpitë e tyre, ndonëse si bilanc negativ që gjithmonë do të mungojnë në familjet e tyre janë 20 mijë të vrarët.
Si edhe në rastin e luftës në Kosovë, autorët e krimeve mbeten ende të lirë.
Drejtësia ende nuk është vënë për familjarët të cilëve u mungojnë më të dashurit e tyre.
“Stuhia” e popullit kroat ishte operacion i drejtë politikisht dhe i domosdoshëm ushtarakisht për të ndalë të keqen dhe për të vendosur paqen, për të cilën dhanë kontributin e tyre aktiv shumë shqiptarë që luftuan përkrah kroatëve jo vetëm për një Kroaci të pavarur por dhe për një Ballkan stabil.
Andaj, urime Dita e Fitores popullit kroat, shqiptarëve të Kroacisë dhe të gjithë atyre që luftuan në anën e së drejtës.