Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 29 gushtin 1990 ku senatori amerikan Robert Joseph Dole erdhi ta vizitonte Kosovën, duke u takuar me një grup të gjerë përfaqësuesish politikë, aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.
Kryeministri Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se vizita e shtatë senatorëve amerikanë në Kosovë më 29 gusht 1990, ishte një vizitë historike! Ajo i ktheu dritat kah terri informativ duke ndriçuar shtypjen dhe apartheidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo vizitë shënon fillimin e atij rrugëtimi të gjatë të përbashkët të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s, si dhe nga dita e çlirimit te shpallja e pavarësisë më 2008 dhe ngritja e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës.
Në atë vizitë, Robert Joseph Dole ishte i shoqëruar edhe nga gjashtë senatorë të tjerë: John William Warner nga Virxhinia, Edwin Jacob Garn nga Utah, Donald Lee Nickles nga Oklahoma, Alfonse Marcello D’Amato nga Nju Jorku, Steven Douglas Symms nga Idaho dhe Cornelius Alexander McGillicuddy nga Florida. Ata u informuan drejtëpërdrejt për shkeljet e të drejtave të njeriut, nënpërfaqësimin politik, diskriminimin dhe shtypjen politike që autoritetet serbe të Beogradit po i bënin ndaj shqiptarëve në Kosovë. Njëkohësisht, Bob Dole i dëgjoi qëndrimet politike dhe orientimin properëndimor të shqiptarëve të Kosovës, të deklaruar përmes vullnetit politik të tyre për pavarësi edhe dy muaj më parë, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Sot u bënë 33 vite nga ditën kur u lidhën nyjet e dy skajeve të litarit që lidhi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Në një artikull me titull “Shtypet protesta shqiptare në Jugosllavi” (“Albanian protest broken up in Yugoslavia”), në numrin e saj të datës 30 gusht 1990, gazeta The New York Times, shkruante: “Policët specialë përdorën shkopinj dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë mijëra shqiptarë etnikë që prisnin një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për t’u ankuar për shkeljet e të drejtave të njeriut. Rreth 10.000 njerëz, duke brohoritur “Liri, liri” dhe “USA, USA” u mblodhën para një hoteli, ku delegacioni prej shtatë senatorësh republikanë pritej të zhvillonte bisedime me liderët e shumicës shqiptare në Kosovë, një provincë jugore e Jugosllavisë”.
Krahas videoxhirimeve të kohës, një album i tërë me fotografi të shkrepura nga fotoreporteri Hazir Reka dhe të ekspozuara disa herë në publik, janë dëshmi vizuale e dhunës që policia serbe asaj kohe ushtroi mbi qytetarët e mbledhur në rrugën para Hotel Grandit në pritje të senatorëve amerikanë. Synimi i autoriteteve serbe ishte që duke i shpërndarë me dhunë dhe brutalitet qytetarët, rruga të mbetej bosh kur të vinin senatorët amerikanë dhe të mos shihej prej tyre entuziazmi i madh me të cilin po priteshin nga qytetarët e Kosovës.
Kjo vizitë ishte inicuar dhe përgatitur nga kongresisti amerikan me origjinë arbëreshe, Joseph John DioGuardi si dhe nga aktivistë patriotë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tre muaj më herët, nga 27 deri më 29 maj 1990, Joe DioGuardi bashkë me kongresistin Thomas Peter Lantos, kishin vizituar Kosovën, konkretisht Prishtinën dhe Gjakovën. Nga këtu ata kishin vazhduar vizitën e tyre në Shqipëri ku nga autoritetet e kohës në Tiranë, DioGuardi dhe Lantos (i mbijetuar i Holkaustit) ishin njoftuar me një dosje dokumentash arkivore që dëshmonin shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga atëherë e deri më sot, historia unike e strehimit dhe shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ka ardhur dhe është bërë çdo herë e më e njohur. Megjithatë, ajo ka nevojë ende të studiohet nga shkencëtarët dhe të njihet nga bota. Më 23 gusht, në Parkun e Qytetit të Prishtinës përuruam “Murin e nderit” me emrat e disa prej shqiptarëve që kanë kontribuar në shpëtimin e hebrenjve para më se 80 vitesh, ku mes tjerësh, me ne ishte edhe vetë Joe DioGuardi.
I shpallur person non-grata në Jugosllavi pas vitiztës së bërë në fund të majit, Joe DioGuardi nuk arriti t’i bashkohej senatorit Bob Dole dhe kolegëve të tij në vizitën e 29 gushtit 1990. Por që të tre këta politkanë të lartë dhe të respektuar amerikanë Joe DioGuardi, Tom Lantos dhe Bob Dole, e kanë vizituar edhe disa herë të tjera Kosovën në vitet e mëpastajme. Përveç kësaj, ata kanë mbajtur qëndrime shumë parimore duke folur për Kosovën në Senatin dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe kudo tjetër, për çka ata do të kujtohen për rolin e tyre historik për mbështetjen që ShBA-të ia kanë dhënë Kosovës.
Duke kujtuar vizitën e tij të 29 gushtit 1990, tre vite më parë kur u ngrit busti i tij në Prishtinë, Bob Dole pati shkruar: “Tridhjetë vjet më parë, unë dhe kolegët e mi kemi udhëtuar për herë të parë në Prishtinë. Askush nga ne nuk mund ta dinte se ky do të ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës.”
Në kujtim dhe për mirënjohje të kontributit të të gjithë politikanëve amerikanë që e ndihmuan Kosovën gjatë këtyre 33 viteve: nga vizita e 29 gushtit 1990, deri sot më 29 gusht 2023!