Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa personave të dyshuar në kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në bashkërendim u realizua operacioni policor, ku janë arrestuar pesë persona, të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 lidhur me veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabandimi me migrantë”, sipas KPRK-së.
Në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme.
Gjatë realizimit të operacionit policor janë arrestuar të dyshuarit me iniciale si në vijim:
- K. K. viti i lindjes 1965 m/kosovar
- G. T. viti i lindjes 1969 m/shqiptar/Shqipëri
- E. A. viti i lindjes 1970 m/kosovar
- H. H. viti i lindjes 1978 m/kosovar
- E. R. viti i lindjes 1992 m/kosovar
Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:
ü (21) pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane,
ü (5) leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme,
ü Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve,
ü (4) telefona mobilë,
ü (1860) euro
ü (48700) lekë
ü (10) funta
ü (395) lira turke
ü (1) veturë me targa të Kosovës
ü (1) veturë me targa të Shqipërisë
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.




