Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit me Jordaninë dhe Shqipërinë, një ekipë e ushtrisë nga Jordania së bashku me një ekipë të ushtrisë nga Shqipëria dhe pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar trajnimin trejavor të Kërkim-Shpëtimit në male, në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtim (QNTKSH), të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është hera e tretë që trupat jordaneze marrin pjesë në trajnimet e Kërkim-Shpëtimit në QNTKSH.
Në ceremoninë e certifikimit të pranishëm ishin zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, Komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneral brigade Naim Haziri, drejtori i QNTKSH, John Doone, këshilltari amerikan në Ministri të Mbrojtjes, Thomas Niblock, si dhe oficerë e ushtarë të FSK-së.
Me këtë rast, zv.ministri Syla vlerësoi lartë bashkëpunimin trelateral të ushtrive duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe avancimin e këtij bashkëpunimi edhe në fusha tjera me interes të përbashkët.
Në QNTKSH realizohen trajnime të nivelit të qendrave botërore për stafin ndërkombëtar dhe vendor, përfshirë Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera vendore të sigurisë.
Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Kërkim Shpëtim të FSK-së vazhdon trajnimin profesional të pjesëtarëve nga vende të ndryshme të botës, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.






