Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, priti në takim ambasadoren jorezidente të Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante, të shoqëruar nga Konsulli i Nderit i Maltës në Kosovë, Remzi Ejupi.
Ministrja Hajdari në këtë takim, e informoi ambasadoren jorezidente të Maltës, Juliana Scerri Ferrante me të arriturat e MINT dhe reformat në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes dhe investimet në Kosovë.
Tutje, ajo tha se tashmë të gjithë treguesit ekonomik dhe demokratik po e dëshmojnë se Kosova po shënon progres të jashtëzakonshëm në zhvillimin socio-ekonomik dhe rritje të demokracisë, derisa theksoi se turizmi, dixhitalizimi dhe ndërmarrësia po e lidhin Kosovën me botën dhe se mbështetja për këta sektorë po trajtohet me prioritet nga qeveria.
Përgjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe ndërmarrësisë derisa u fol për mundësinë e krijimit të urave bashkëpunuese mes bizneseve, në kuadër të një Forumi të përbashkët Ekonomik dhe nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi në mes Agjencisë KIESA dhe Agjencisë Malta Enterprise.
Ndërkaq, ambasadorja jorezidente e Maltës, Juliana Scerri Ferrante, tha se në kuadër të vizitës së saj gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor, po i viziton edhe akterët e sektorit privat për të parë nga afër mundësitë që mund të shfrytëzohen, që të krijohen ura bashkëpunimi mes Maltës dhe Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushën e Turizmit. Ajo shtoi se të dy vendet kanë vlera të përbashkëta evropiane, derisa potencoi se është e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në BE.
Në fund, ministrja Hajdari pranoi dhuratë Atlasin e Maltës, ku pasqyrohen bukuritë natyrore dhe kulturore të këtij vendi, thuhet në postimin në Facebook të MINT-it.






