Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka shkruar letër sekretarit amerikan të SHBA-së, Anthony Blinken për urimin në postin e sekretarit të Shtetit. Ai ka shkruar se jemi të përkushtuar të punojmë me SHBA-të për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, bëhet e ditur në komunikatën për media e Qeverisë së Kosovës.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, urime për konfirmimin tuaj në postin e Sekretarit të Shtetit.
U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rikonfirmimin e mbështetjes për Republikën e Kosovës, si një shtet i pavarur, shumetnik, demokratik dhe i integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike.
Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit.
Kosova është e përkushtuar të punojë me ju, si dhe me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për fuqizimin e sundimit të ligjit, krijimin e stabilitetit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimin e demokracisë, si një vend plotësisht i gatshëm për procesin e integrimit Euro-Atlantik”.
Shkëlqesia Juaj, ju lutemi pranoni konsideratën time më të lartë.
Sinqerisht,
Avdullah Hoti
Kryeministër i Republikës së Kosovës