gjeli-i-kosoves-480x368
Gjeli këndimgjatë ose siç njihet ndryshe gjeli autokton i Kosovës ka kohë që është shpallur vlerë e mbrojtur nga Ministria e Mjedisit, por ky vendim tashmë ka mbetur vetëm në letër, pasi mungon mbështetja financiare.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina tha se ende nuk ka asgjë konkrete, pasi nuk janë alokuar mjaftueshëm fonde nga ministria e Financave.

Sipas vendimit të Ministrisë së Mjedisit të shpallur në vitin 2014, të drejtën për mbarështimin e kësaj race të gjelit e ka çdo person që i plotëson kushtet për mbarështim, mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqënien e tyre.

“Vendimi për ta klasifikuar si kategori të mbrojtur është marrë, por ne ende jemi në pritje të përkrahjes financiare, pasi momentalisht gjithçka ka mbetur vetëm në letër”, tha ai.

Ndërsa, Fadil Kukleci profesor i lëndës së biologjisë, i cili kujdeset për këtë lloj gjeli të veçantë që mund të këndojë pa ndërprerje më shumë se 60 sekonda, apelon që ky shpend të merret sa më shpejt në mbikëqyrje nga shteti, sepse rrezikon të zhduket.

“Edhe pse gjeli këndimgjatë është nën mbrojtjen e Ministrisë së Mjedisit, unë përkujdesem në baza vullnetare dhe nuk kam asnjë përkrahje nga kjo Ministri. Mua më brengos fakti që në këtë gjendje siç është gjeli rrezikon zhdukjen e llojit të tij”, theksoi Kukleci.

Në këto kushte, Kukleci është detyruar që të merret personalisht me mbarështimin e llojit të gjelit këndimgjatë. Lloji i kësaj race brenda vitit ngjizë 100 deri në 150 vezë. Raca e gjelit këndimgjatë karakterizohet nga kurrizi i gjatë dhe pak i lakuar, qëndrim krenar si dhe nga koka pak më e lartë në raport me majën e bishtit.

Ky lloj gjeli njihet nga ngjyra e zezë, herë – herë e stërpikur me të kuqe.

Vitet e fundit raca e gjelit autokton këndimgjatë të Kosovës është ekspozuar nga dy rreziqe si: përzierja me raca të huaja, që sillen në Kosovë dhe nxjerrja e gjelit kosovar jashtë, për të përmirësuar racat e vendeve të tjera.

Aktualisht ekzistojnë disa varietete të kësaj race si raca e Dukagjinit që këndon deri ne 25 sekonda, ajo e fshatit Breznicë që këndon 12 sekonda, si dhe raca e Gjilanit që arrin deri në 40 sekonda.

Vendet, ku kjo racë kultivohet si traditë  e përcjellë brez pas brezi, deri në ditët e sotme janë Drenasi, Skenderaj, Prishtina, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Peja dhe Gjakova.

/Suzana Rugova “ Vajzë dëgjohu”/

logo8-300x79