Pasuria duhet të trashëgohet vetëm nga meshkujt e familjes. Vajzat duhet të martohen dhe pastaj ato marrin pjesë në pasurinë e burrit”, mendon T.J.,nënë e dy vajzave dhe një djali, anipse Ligji për Barazi Gjinore i Kosovës, neni 26.12 thotë se “fëmijët, femra dhe meshkuj trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë.”
Për fat të keq, mendim të tillë kanë edhe shumë gra e burra të tjerë shqiptarë, me ç’rast ata shkelin ligjin që garanton barazi për të dy gjinitë në çështjen e ndarjes së pasurisë.
Si pasojë e këtyre perceptimeve, studentja F.K., 21 vjeçare, pranon se shpesh ka mosmarrëveshje me prindërit e saj kur diskutohet ndarja e pasurisë.
“Për mua është shumë e vështirë të bisedoj me prindërit për këtë temë. Saherë kam thënë se kam të drejtë të jem pjesë e trashëgimisë, nëna më ka akuzuar duke më thënë se është turp ta marr ‘hisen’ e vëllezërve,” shprehet ajo.
E gjithë kjo situatë e pafavorshme për femrat është shkaktuar si pasojë e respektimit të traditës së vjetër shqiptare që rrënjët i ka në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Në një shoqëri si Kosova, ku shumica e popullatës është e besimit islam, shpeshherë njerëzit mendojnë se diskriminimi i femrave është pasojë e respektimit të rregullave islame. Ndërkohë që libri i shenjtë i myslimanëve është i qartë sa i përket çështjes së trashëgimisë: “Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar.”
Gjeneratat e reja kosovare kanë filluar të kuptojnë se mospërfshirja e femrave në ndarjen e pasurisë përpos që bie ndesh me ligjin, është edhe një padrejtësi. Kjo padrejtësi ndodh t’u shkaktojë probleme serioze në të ardhmen e tyre, ngase mund të bëhen financiarisht të varura nga meshkujt e familjes në të cilën jetojnë, nëse nuk janë të shkolluara e të punësuara.
Situata nganjëherë mund të bëhet edhe më e rëndë nëse gruas i vdes bashkëshorti.
Një gjë të tillë ka përjetuar Shyhrete Berisha, një rast ky i përfolur me vitet të tëra që ende nuk ka zgjidhje. Ajo ka humbur burrin dhe fëmijët e saj gjatë luftës në Kosovë 1999, dhe tash po përballet në gjyq me kunatin e saj, i cili nuk po e lejon ta shfrytëzojë shtëpinë ku ajo kishte jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët para luftës.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka realizuar një hulumtim në vitin 2011 lidhur me çështjen e Trashëgimisë Pronësore të Grave në Kosovë, duke anketuar 1050 pjesëtare të gjinisë femërore të moshës mbi 18 vjeçe . Sipas këtij hulumtimi, 40.83 % e grave të anketuara, mendojnë se trashëgimia ndonëse e rregulluar me ligj, rregullohet sipas traditës dhe zakoneve në ndarjen e pasurisë.
Në pyetjen “Kush duhet të trashëgojë pasurinë e prindërve”, 75.50 % e të anketuarave janë pajtuar se pasuria e prindërve do të duhej trashëguar nga të dy gjinitë pa dallim. Megjithatë, në opsionin sipas të cilit djemtë duhet trashëguar më shumë sesa vajzat, 9.43 % kanë shfaqur dëshirën që pasuria t`u trashëgohet nga djemtë.
Adelina Berisha, hulumtuese në Rrjetin e Grupeve të Grave te Kosoves, thotë se RrGGK “konsideron se pa qasje në pronë, gratë nuk posedojnë kapitalin e tyre për investime dhe kredi. Kështu, qasja e pabarabartë e grave në trashëgimi dhe pronë e pengon aftësinë e tyre për të arritur pavarësinë financiare dhe të hapin apo zgjerojnë bizneset e tyre”.
Femrat në Kosovë janë të vetëdijshme se nëse kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre për trashëgimi, shpesh duhet të përballen me paragjykime, me mospërfillje e me akuza nga rrethi në të cilin jetojnë. Gjasat për përkeqësim të marrëdhënieve me prindërit e me vëllezërit janë mjaft të mëdha. Prandaj, në shumicën e rasteve ato zgjedhin të heshtin.
“Shoqëria kosovare ende ruan normat kulturore, në të cilat gratë dhe vajzat diskriminohen pothuajse në çdo aspekt të jetës. Presioni që u bëhet grave dhe vajzave i bënë ato që të mos e kërkojnë të drejtën e tyre për trashëgimi. Kjo pasi që gratë dhe vajzat duhet të ruajnë marrëdhëniet e “mira” brenda familjes”,shprehet Adelina Berisha.
Zbatimi më i përpiktë i ligjit për të drejtën e Trashëgimisë Pronësore, pos ndjenjës së fuqizimit po edhe plotësimit shpirtëror, rrjedhimisht do ta sillte femrën kosovare në një pozicion shumë më të barabartë kur është fjala për marrjen e vendimeve për jetën dhe të ardhmen e saj.
/Medina Mehmeti – Vajzë Dëgjohu/