Për herë të parë më 12 korrik në Prishtinë do të mbahet një garë automobilash, ku protagoniste do të jenë vetëm femrat. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i gjinisë femërore në fushën e automobilizmit.
“E diela e 12 korrikut do të jetë një e dielë më ndryshe se të tjerat, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin një organizim shumë të mirë, ku protagoniste do të jenë femrat, gjë që nuk ka ndodhur më herët në këtë qytet. Në të njëjtën kohë qytetarët do të argëtohen me përformancën e veturave të vozitura nga femrat, duke mposhtur paragjykimin se në komunikacion ka pak femra pjesëmarrëse. Ato do të kenë një shans të vërtetojnë aftësitë e tyre në këtë sport, që në botë ushtrohet me sukses nga të dy gjinitë”, tha Gresa Rexhepi, përfaqësuese e Eurogoma Racing team.
Numri i femrave pjesëmarrëse në këtë garë është 100. Deri më tani kanë aplikuar 20 femra, të cilat pritet të garojnë në katër kategori, të ndara sipas fuqisë motorike, duke filluar nga 1100 deri në 2000 kubik.
Për çdo kategori do të ketë shpërblime në vlerë monetare. Për vendin e parë akordohen (200€), vendin e dytë (150€) dhe vendin e tretë (100€).
Kriteret për të marrë pjesë në këtë garë janë mosha mbi 21 vjeç, pajisja me patentë shoferi, si dhe një veturë në gjendje të rregullt.
“Ne vlerësojmë se vozitëset femra janë të afta, sikurse edhe meshkujt për këto lloj aktivitetesh. Mirëpo, ato duhet të përfshihen më shumë dhe të jenë në hap të njëjtë me pjesëmarrjen e meshkujve në ngjarjet automobilistike. Ne besojmë shumë se kjo garë do të ndikojë mjaft në ndryshimin e imazhit të femrave vozitëse”, theksoi Gresa Rexhepi, për Kosovalive.
Gara e automobilave të drejtuara nga femrat organizohet nga Eurogoma Racing Team dhe Federata e Autosporteve të Kosovës.
/Vesa Prapashtica “ Vajzë dëgjohu”/