Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trafikantët ballkanas të sirianëve

Kor 22, 2015

Mijëra migrantë nga vatrat e luftës dhe konflikteve në Lindje të Mesme kanë vërshuar vendet e Ballkanit, nga ku po shkojnë ilegalisht në BE. Ata po u paguajnë para të majme trafikantëve ballkanas

Lavdim Hamidi/ Bujanoc-Suboticë

Ahmed (30 vjeç) nga Siria hap portofolin dhe numëron paratë që i kanë mbetur pasi i kishte paguar 200 euro një trafikanti për t’i sjellë me veturë bashkë me tre familjarët e tij nga Presheva në Bujanoc.

Në një destinacion të shkurtër prej hiç më shumë se 20 kilometrash, trafikantët në Luginë të Preshevës po përfitojnë para të majme për t’i bartur migrantët e shumtë nga Siria, Afganistani, Pakistani…, të cilët po përshkojnë rrugë të gjatë, duke i kaluar ilegalisht në këmbë kufijtë e shteteve të ndryshme të Ballkanit për të shkuar në Bashkimin Evropian.

Ai thotë se ka disa muaj që është nisur nga Siria, ku po zhvillohet luftë e ashpër mes grupit terrorist ISIS dhe forcave proqeveritare të Bashar al- Assad-it. Fillimisht nga Siria kishin kaluar në Turqi dhe më pas në Greqi, nga ku kanë vazhduar rrugëtimin e tyre të gjatë e të mundimshëm drejt Maqedonisë, Serbisë, me synimin që të dalin në Hungari dhe më pas drejt Austrisë.

”Për të kaluar rrugën disaorëshe me barkë në det nga Turqia në Greqi u paguam mijëra dollarë trafikantëve. Nga aty derisa erdhëm në Maqedoni shpenzuam mjaft para dhe kështu po paguajmë edhe në Serbi”, shprehet Ahmed.

Ai thotë se bashkë me tre familjarët kanë përjetuar një dramë të vërtetë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, ku përpos mijëra eurove të shpenzuara, në disa shtete kishin tentuar t’i plaçkitin, duke i sulmuar edhe fizikisht.

“Nga Maqedonia kemi hyrë në Preshevë, ku duhej ta merrnim një dokument me të cilin detyroheshim që brenda 72 orëve ta lëshojmë Serbinë. Numri i atyre që pritnin për ta marrë një dokument të tillë ishte shumë i madh, prandaj nuk pritëm dhe vazhduam për në Bujanoc, ku për të na transportuar me automjet na kërkuan 50 euro për person, apo 200 euro për katër veta, një destinacion që kaluam për më pak se 20 minuta”, shprehet ai.

Flenë në asfalt

Është ora 10 e mëngjesit të 20 qershorit të këtij viti dhe numri i migrantëve, kryesisht nga vatrat e luftës e konflikteve në Lindje të Mesme, që ishin grumbulluar në Stacionin e Autobusëve në Bujanoc, kishte arritur më shumë se 50.
Shumica të rinj, të cilët ishin shtrirë në asfalt për të pushuar, por në mesin e tyre kishte edhe gra dhe fëmijë.
Të gjithë po planifikonin në mbrëmje që të nisen drejt Suboticës, mirëpo nga Stacioni i Autobusëve i njoftojnë se të gjitha biletat e autobusëve të “Express Nis”, që e mban këtë vijë të rregullt, jo vetëm për këtë ditë, por janë shitur dhe për dy ditët e ardhshme dhe nuk ka vende të lira në autobusë.

Thuhet se vetëm kompania “Express Nis” ka pranuar t’i bartë migrantët nga Lindja e Mesme, njësoj siç i kishte bartur në fund të vitit që lamë pas dhe në fillim të këtij viti migrantët nga Kosova, të cilët ilegalisht nga Serbia shkonin në Hungari dhe më pas në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Bahram nga Afganistani thotë se një ditë më parë e kishte blerë biletën e autobusit për në Suboticë, e cila i kishte kushtuar rreth 30 euro dhe shpreson se sonte përfundimisht do të zërë vend në autobus, i cili do të nisej në orën 21:45.

Ai thotë se nga Maqedonia për në Serbi ka ardhur në këmbë me shumë migrantë të tjerë, ku në mesin e tyre kishte edhe gra shtatzëna dhe fëmijë.
Ata që kanë bileta e presin edhe disa orë autobusin, të tjerët nisen fushave të këtij vendbanimi me shumicë shqiptare për ta gjetur një vend për të fjetur natën.

Pak muaj më parë dy migrantëve u kishte ndodhur një rast tragjik në një fshat të Bujanocit. Një tren mallrash që vinte nga Shkupi kishte mbytur 2 veta, të cilët kishin rënë për të fjetur në binarët e hekurudhës së këtij qyteti.

Zyrtarë të UNHCR-së kanë bërë të ditur se muajt e fundit numri i refugjatëve, të cilët në Serbi arrijnë përmes Maqedonisë nga Lindja e Afërt dhe Afganistani, dhe numri i atyre që paraqiten në Preshevë për të kërkuar ndihmë për çdo ditë arrin në 200.

Plaçkitja e migrantëve

Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, thotë se fluksi i madh i migrantëve që javët e fundit kanë arritur në qytetin e Preshevës, por dhe të Bujanocit, ka nxjerrë në pah paaftësinë e autoriteteve shtetërore republikane dhe lokale.

Sipas tij, për më shumë se tri javë, migrantët “jetonin” në kushte çnjerëzore, pa asnjë ndihmë, as ato më themeloret, mjekësore dhe ushqimore, nën strehë të hapur. Kjo, sipas tij, ka nxitur një solidaritet të vetorganizimit qytetar. “Burokracia e autoriteteve publike është shoqëruar edhe me mungesën e një efikasiteti dhe një dinamike të organizatave lokale, si Kryqi i Kuq lokal, ose shtabi i emergjencës së Republikës së Serbisë, ku nganjëherë nuk mungonin edhe veprimet ksenofobe, apo edhe sjellje joprofesionale të njësive policore dhe doganore ndaj migrantëve, duke shkelur normat dhe konventat ndërkombëtare”, thotë Kamberi.

Kamberi konfirmon se trafikimi i migrantëve është evident për muaj të tërë në Luginë të Preshevës dhe siç thotë ai, në raste të caktuara kanë qenë të përfshirë edhe vetë pjesëtarët e forcave të sigurisë.

“Sigurisht se në raste të caktuara kanë qenë të përfshirë edhe vetë pjesëtarët e forcave të sigurisë, gjë që është dëshmuar edhe nga vetë Policia, e cila në disa raste simbolike, ka ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj pjesëtarëve të tyre për trafikim të paligjshëm të migrantëve. Sidoqoftë, masivizimi dhe dinamizimi i tillë i qarkullimit të migrantëve në një hapësirë kaq të vogël gjeografike nuk mund të paramendohet pa tolerimin e strukturave të sigurisë”, shprehet Kamberi.

Ai ka shtuar se sipas migrantëve, raste më të shumta të plaçkitjes janë shënuar në Maqedoni, mirëpo ka pasur raste edhe në Serbi. “Tarifat” për trafikim, sipas Kamberit, duken se ndryshojnë varësisht nga vendi, koha dhe rrethanat.

“Por, ajo që mund të vërehet është se rrjeti i trafikantëve është mirë i organizuar, përtej kufijve dhe kombësive dhe se tutorët e tyre janë të shpërndarë në shumë lokalitete. Trafikimin e tyre e ka mundësuar edhe mungesa e kuadrit adekuat ligjor rajonal, që realisht ka qenë në shërbim të kontrabandistëve, të cilët tanimë edhe si legjislacion i tillë e ka ‘legalizuar’ trafikimin”, ka nënvizuar Kamberi.

Mbi 50 mijë migrantë kanë hyrë këtë vit në Hungari

Policia e Serbisë në Suboticë, qyteti i fundit në kufi me Hungarinë, i nxjerr nga një furgon 30 veta me duar të lidhura, kryesisht qytetarë nga Siria, Afganistani dhe Pakistani, për t’i dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje të këtij qyteti.

Ata ishin zënë nga autoritetet hungareze duke kaluar ilegalisht kufirin dhe më pas i janë dorëzuar autoriteteve policore serbe. Pasi dalin para Gjykatës në Suboticë, secili prej tyre obligohet ta paguajë dënimin me vlerë prej 5000 dinarëve të Serbisë, apo rreth 41 euro. Nëse nuk kanë para për ta paguar dënimin, duhet të qëndrojnë 4 ditë në burg.

Megjithatë, arrestimi nga policia hungareze dhe dënimi nga Gjykata në Suboticë nuk i zmbrapsin në synimet e tyre për të shkuar në Evropë, pasi që në disa raste të njëjtit persona janë zënë duke kaluar ilegalisht kufirin, kanë dalë para gjykatësve serbë, kanë paguar dënimin dhe përsëri kanë vazhduar rrugëtimin e tyre drejt Hungarisë.

Autoritetet hungareze kanë bërë të ditur se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti në shtetin e tyre kanë hyrë mbi 50 mijë migrantë, 95 për qind e tyre nga Serbia. Në tre muajt e parë të këtij viti numri më i madh i migrantëve që kalonin ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari ishin shtetas të Kosovës dhe më pas ata nga Lindja e Mesme.

Mladen Mrdalj, kryeshef i policisë serbe për qendrën regjionale kufitare me Hungarinë, thotë se muajt e fundit në zonën e përgjegjësisë së tyre është rritur numri i imigrantëve ilegalë.

Për 5 muaj e gjysmë të parë të këtij viti, siç thotë ai, janë shënuar rezultate dyfish më të mëdha se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si për nga numri i parandalimit të kalimeve ilegale të kufirit, ashtu edhe për nga numri i të arrestuarve.

Policia e Serbisë deri më tani ka raportuar edhe për arrestimin e disa personave si të dyshuar për trafikim me migrantë.

Ndërsa Ljubo Simiq, kryetar i Gjykatës për Kundërvajtje në Suboticë, thotë se sipas statistikave që i posedojnë nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të majit, nga Gjykata janë proceduar 3500 raste të shtetasve nga Afganistani, Siria, etj. Sipas tij, pasi të paguajnë një dënim minimal financiar, ata lihen të lirë.

Shpëtimtari i migrantëve

Tibor Varga drejton një organizatë humanitare nga misioni i Evropës Lindore në Suboticë. Qe 5 vjet kujdeset që t’u sigurojë ushqim dhe veshmbathje falas imigrantëve që vijnë në këtë qytet.

Imigrantët flenë në hapësirat e tulltores së Suboticës, e cila ka kohë që nuk funksionon, pasi që është privatizuar, por, sipas tij, ky vend ka qenë shtëpia e mijëra imigrantëve në 5 vitet e fundit.

Ai thotë se muajt e fundit është rritur numri i imigrantëve nga Afganistani, Pakistani dhe Siria dhe për çdo ditë rreth 200 imigrantëve po u servohet ushqim falas.

“Ata që vijnë këtu janë të lodhur dhe të rraskapitur. Nuk janë mirë edhe me shëndet, pasi që kanë kaluar mijëra kilometra për të arritur deri këtu. Ne kujdesemi që atyre t’u sigurojmë ushqim dhe veshmbathje, sa kemi mundësi, me ndihmën tonë dhe të donatorëve të ndryshëm”, shprehet ai.

Pranë një objekti gjysmë të rrënuar të tulltores, në murin e së cilës janë shkruar emra arabë, tre të rritur dhe një fëmijë nxjerrin ujë me kovë nga një pus, ku uji është i kontaminuar. Varga thotë se uji i këtij pusi nuk pihet, mirëpo imigrantët po e shfrytëzojnë për t’u pastruar në ambient të hapur. “Kushtet ku qëndrojnë ata janë tmerrësisht të këqija, në hapësirat e tulltores e cila ka disa vite që nuk punon, mirëpo pasi që nuk kemi ndonjë zgjidhje tjetër, ne këtu ua sjellim ushqimin dhe veshmbathjen”, thotë ai.

Ndërsa Tibor Bognar, sekretar i Bashkësisë Lokale në Paliç të Suboticës, nga i cili vendbanim migrantët nisen për ta kaluar ilegalisht kufirin serbo-hungarez, thotë se imigrantët në këtë vendbanim arrijnë vazhdimisht gjatë gjithë ditës dhe numri i tyre nuk është zvogëluar aspak. Nga numri i madh i imigrantëve, sipas tij, banorët e Paliçit janë paksa të frikuar, ndonëse nuk është shënuar kurrfarë eksesi deri më tani.

/Ky artikull hulumtues është realizuar në kuadër të projektit Kosova-Serbia LIVE, të implementuar nga KosovaLive dhe NUNS, me mbështetje nga Komisioni Evropian/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM